Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se Prokuroria e Tiranës nuk ka asnjë fakt dhe asnjë provë lidhur me akuzën e lobimit në SHBA.

Jashtë dyerve të Akuzës, ku u mor në pyetje për lobimin, Basha deklaroi se e gjitha kjo po bëhet për të shpërqendruar gazetarët dhe qytetarët nga skandalet e publikuara nga gazeta gjermane “BILD”. Sipas kreut të PD, akuza e ngritur ndaj tij është montuar në zyrën e Edi Ramës.

“Arsyeja e vetme pse jam sot para jush është që të shërbejë si shpërqendrim për skandalet që kanë plasur dhe që do të plasin nesër. Prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe apo shtesë që nga 25 maji kur isha këtu për herë të fundit. Zyrtarisht më komunikuan se nuk kanë asgjë të re. kjo për arsyen se kjo akuzë është montuar në zyrën e Ramës për llogari të tij.

U njoha me akuzën që nuk është akuzë sepse nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dokument të falsifikuar në dosje, asnjë rus të vetëm, asgjë. Pra është një akuzë e formuluar për t’iu shpërqendruar juve nga skandalet që kanë plasur dhe do të plasin nesër nga Bild dhe që tregojnë ku është katandisur pushteti i Ramës.

Dosjen nuk e kishin gati sot, sepse nuk kanë dosje. E vetmja gjë ndryshe është Bild. Kam qenë pesë herë këtu, kur plasi skandali i Saimir Tahirit, pastaj i Geron Xhafajt, pastaj i Dakos, pastaj skandali i Toyota Yaris. Sa herë plas një skandal këta montojnë një dosje për mua. Ky proces do dështojë me sukses të plotë, për këtë le të presim 24 orët e ardhshme”, ka thënë Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: