Në një konferencë për shtyp, kryedemokrati Lulzim Basha e krahasoi kryeministrin Rama me Ramiz Alinë, kur tha se po organizon zgjedhje farsë njësoj si ai.

Sipas tij, ndryshe nga Ramizi, Edi Ramën e pret një fat edhe më i keq.

“Kur komunzimi ra kudo në lindje, kur pluralizmi dhe liria triumfuan mbi robërinë, Ramiz Alia deshi t’u shiste shqiptarëve të etur për liri, pluralizëm fallso. U përpoq të bënte në shkurt 1991 zgjedhje gjoja pluraliste me organizatat e rinisë dhe të grave komuniste, por dështoi, sepse njerëzit nuk u mashtruan, sepse shqiptarët donin lirinë e vërtetë. Tre dekada më vonë. Jemi kthyer në të njëjtën situatë. Shqipëria është sot e rrënuar ekonomikisht. Krimet shtetërore janë bërë të padurueshme. Demokracia ka rënë. Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak. Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi. Njësoj si atëherë, vota është shpallur plumb kundër armiqve të regjimit. Njësoj si atëherë, regjimi mundohet të shtypë pakënaqësinë e njerëzve. Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist. As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë. Ramiz Alia i anulloi zgjedhjet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë zgjedhjeve pluraliste. Edi Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet e tij njëpartiake. Edi Rama nuk është as sa Ramiz Alia. Ai i anulloi votimet e shkurtit 1991 për t’i hapur rrugë votimeve pluraliste. Edi Rama po përpiqet të bëjë edhe gjënë e fundit që bën çdo autokrat për ta mbajtur pushtetin: zgjedhje farsë. Por ky do të jetë fundi i tij”,- tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb