TIRANE – Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi pas arrestimit të Emiljano Shullazit, duke theksuar se arrestimi i tij ka ardhur nga “presioni i partnerit tonë të vyer strategjik”, SHBA.
Në një deklaratë të publikuar në faqen e tij në “Facebook”, Basha nënvizon se “pasi e bëri dekan të krimit, Edi Rama kërkoi ta emëronte Emiliano Shullazin edhe rektor të Universitetit të Tiranës”.

“Pasi i dha gjithë mbështetjen qeveritare në aferat e pista të trafikut e gjobvënies, pasi i hapi doganat dhe i dha poste kyçe në polici, dhe çelesët e kafazit të Tahirit, Edi Rama kërkon ta caktoje Emiliano Shullazin edhe shef të botës akademike. Sepse ky është modeli, ky është koncepti i Edi Ramës për zgjedhjet. Ai nuk i njeh ato si garë, si konkurrence, por vetëm si instrument për të kapur e mbajtur pushtetin. Ndaj sa herë ka zgjedhje, ai nxjerr në skenë një person që e ka komisioner, numërues, vëzhgues, KQZ, që është Shullazi. Me Emiliano Shullazin e sojin e tij u fut në zgjedhjet e 2013. Po ashtu në zgjedhjet e 2015. Referendumin në partinë e tij e bëri me Shullazët. Tani dhe zgjedhjet ne Universitet. I erren sytë nga vota, se vota është e kundërta e tij. Nuk duron dot zgjedhje, alternative, platforma. Thirrja që i bëri Shullazit për të kapur Universitetin është ndoshta më e renda deri sot. Por nuk do t’ia dalë. Vota është zullumi që ju zë fytin tërë oligarkëve kur njësoj si ky fusin duart thellë në zgjedhje. Nuk ka dyshim se arrestimi i partnerit kryesor të Edi Ramës ka ardhur nga presioni i partnerit tonë të vyer strategjik.
Partia Demokratike bashkë me qytetaret, me profesorët, me studentët, bashkë partnerët ndërkombëtare do ta sigurojnë votën në Shqipëri. Vota e lire është fundi i oligarkisë së lidhur me krimin, fundi i krizës Rama për Shqipërinë.”- përfundon Basha.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri reagoi pas deklaratës së kreut të PD se arrestimi i Shullazit u krye pas presionit të SHBA-së. Sipas ministrit Tahiri , policia provoi dhe njëherë se nuk ka të mbrojtur nga ligji e asnjë mbi ligjin. Ministri i Brendshëm i quan degradim moral, politik e logjik, deklaratat dhe akuzat e Berishës dhe Bashës, duke mohuar se Rama apo PS kanë ndërhyrë për të favorizuar dikë në zgjedhjet në universitete.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: