Lulzim Basha nga studio e emisionit “Open” në News24 tha se Sali Berisha i ka dorëzuar zgjedhjet e 2025 te Edi Rama.

Ai u shpreh se Berisha ka mashtruar shqiptarët me lugën bosh, ndërsa theksoi se ne kemi strukturat tona në të gjithë Shqipërinë.

Basha u shpreh se ai përfaqëson Partinë Demokratike, demokratët euroatlantikë, duke shtuar se rekursit për vulën dhe logon e PD-së do ti shkohet deri në fund.

Ai tha se Berisha e ka kthyer PD në një mburojë personale dhe familjare. “Sali Berisha do e çojë PD në 2025 për dhjamë qeni, do i fusë krahun demokratëve. Do e ndjekim çështjen e logos së PD-së deri në Strasburg”, tha Basha.

Në debat me gazetarin Arion Sulo, Basha tha se nuk ka bërë asnjë pazar me Edi Ramën, duke shtuar se në pazar me kryeministrin është Sali Berisha.

“Ju s’keni parti fare”, i tha Sulo, Bashës. Ndërkohë ky i fundit duke replikuar tha se “ne do të jemi në 2025 një alternativë për shqiptarët, me apo pa logo”.

“Pazari ka nisur me bashkimin e votave për lirimin nga burgu të të korruptuarve të Edi Ramës, me prishjen e komisionit për reformën zgjedhore, vijoi me vulën, dhe objektivi kryesor i të dyve është SPAK. E kanë gati”, u shpreh Basha. Sipas tij, reforma zgjedhore nuk është kryetari i një komisioni, por janë listat e hapura, është vota e diasporës etj.

Ai shtoi se ndaj SPAK nuk do të bëjnë gjëra të mëdha se nuk ia mbajnë këllqet, por ja do ia heqin “shpërdorimin e detyrës”, do u tregojnë prokurorëve që ne jemi që bëjmë ligjin dhe jo drejtësia e re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb