• * Basha: Rama e ka ditur më parë që nuk hapen negociatat me BE

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ftuar sot në mbrëmje në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu i ka dhënë fund dilemave lidhur me një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “PD nuk do të bëjë koalicion me LSI-në”, pohoi Basha. Lideri i opozitës deklaroi gjithashtu se PD-ja do të mbështesë rikandidimin e Bujar Nishanit për një mandat të dytë si President Republike. “Meqënëse Presidenti Nishani ka shprehur dëshirën për të rikandiduar ne do ta mbështesim atë”, – tha Basha. Ndërkohë ai konfirmoi se opozita shqiptare është e vendosur të mbështesë integrimin e Shqipërisë.

Basha tha se “po të ishte për mua do ta firmosja që sot hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Por nuk është në dorën time, vendosin vendet e BE-së. Partia Demokratike e ka mbështetur gjithmonë integrimin e Shqipërinë në BE, ka punuar dhe ka kontribuar për integrimin”, – u shpreh lideri i opozitës.

I pyetur nëse kishte ndonjë entuziasëm nga opozita shqiptare, kryesisht pas deklaratës së Kirshbaun, Basha tha se nuk ka pasur asnjë entuziasëm. “Shqetësim dhe turpërim. Pas gjithë këtyre vitëve përpjekje, me zigzaget e tyre, jemi kthyer në një pikë ekzistenciale të futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ka të bëjë me problemet reale që ka të bëjë Shqipëria. Diskutimi i vërtetë sot është, do apo nuk do, PD-ja për hapjen e negociatave. Ajo e ka dëshiruar, e ka kërkuar dhe ka lobuar për këtë. Por diskutimi i vërtetë është se çfarë po e pengon hapjen e negociatave dhe çfarë duhet të bëjmë që Shqipëria të ecë përpara”, tha kreu i PD.

Mandej ai ka pretenduar se kryeministri Rama e ka ditur një ditë më parë se negociatat për anëtarësimin në BE nuk do të hapeshin.

“Zotit Bushati i është komunikuar zyrtarisht se nuk do të ketë hapje negociatash me Shqipërinë”- ka thënë ai. Sipas tij burimet që kanë komunikuar më qeverinë, kanë njoftuar edhe opozitën një ditë para ardhjes së Gunther Krichbaum në Shqipëri. “Shfrimi i Ramës ndaj Krichbaum tregon një gjë. Ai ka shpresuar deri ditën e fundit për ndryshimin e qëndrimit.”- ka arsyetuar Basha fjalimet e Kryeministrit. Lidhur me debatin për çështjen e ligjit të “vetting”-ut ai tha se “Partia Demokratike është pro vettingut. Ka votuar pro vetingut si pjese e ndryshimeve kushtetuese”, – tha Basha.

Sipas kreut të PD, pengesa për integrimin nuk është vetëm vetingu, por edhe shumë probleme të tjera reale si droga, krimi dhe korrupsioni.

“Ka pasur probleme me ligjet që duhet të buronin nga Kushtetuta e rënë dakord me konsensus unanim.”- ka thënë ai.

Basha ka theksuar edhe një herë rekomandimet e kancelares Angela Merkel, se përveç pesë kushteve duhet të bëhet progres edhe në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe zgjedhje të ndershme. “Opozita nuk ka pushtetin për të krijuar një realitet që e beson Merkel”- ka thënë Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb