Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një konferencë për shtyp nga selia blu përshëndeti vendimin e KiE për tu tërhequr nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Sipas tij, kjo është hera e parë në historinë e KiE që nuk merr pjesë në monitorimin e zgjedhjeve të një vendi të saj anëtar që nga koha e komunizmit.

“Dua të përshëndes vendimin e Këshillit të Europës për t’u tërhequr nga monitorimi i farsës së 30 qershorit. Arsyet janë ato që kemi thënë: Nuk ka konkurencë pa pjesëmarrjen e opozitës. Janë zgjedhje pa kuptim politik. Është një vendim i pastër politik, një distanicm i prerë nga zgjedhjet fallco një partiake, nga organizata kryesore e të drejtave të njeriut në Europë nga organizata kryesore që mbron të drejtën e zgjedhjeve të lira dhe pavarësisë së pushteti lokal. Këshilli i Europës ka qenë monitorues i zgjedhjeve lokale të vitit 2015, së bashku me OSBE/ ODHIR –in. Ditën e zgjedhjeve misionet e monitorimit të votimit ishin misione të përbashkëta të OSBE-së dhe mes Këshillit të Europës. Këtë vit, Këshilli i Europës u tërhoq, për herë të parë në historinë e tij, nga monitorimi i zgjedhjeve lokale në një vend anëtar të tij.Sikurse e thekson vetë njoftimi i Këshillit të Europës, farsa që po përgatit Edi Rama nuk ka ndodhur në vendet e Këshillit të Europës, që nga rënia e komunizmit. Tashmë po bëhen të qarta për të gjithë përmasat e skandalit kushtetues, ligjor dhe politik të 30 qershorit”,- tha Basha.

Basha tha ndër të tjera se qëndrimi i opozitës në këtë situatë mbetet i prerë: Këto nuk janë zgjedhje. Ato nuk ekzistojnë as ligjërisht, as praktikisht.

“Këtë qëndrim ia kam bërë të qartë ditët e fundit të gjithë komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht partnerëve që po përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike. U kam shprehur të vërtetën se votimi farsë antikushtetues, antiligjor dhe i kriminalizuar do ta thellojë krizën dhe do ta fusë Shqipërinë në një fazë me kosto të lartë për vendin”, shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb