ELBASAN- Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka vijuar edhe sot turin elektoral për prezantimin e kandidatëve të PD-së për drejtimin e 61 bashkive në vend. Sot Basha është ndalur në qarkun e Elbasanit ku ka prezantuar kandidatët për bashkinë e Elbasanin, për Librazhdin dhe për Prrenjasin.


Kreu i PD-së, duke prezantuar Ardian Turkun si të përzgjedhurin e selisë blu për Bashkinë e Elbasanit u shpreh se shqiptarët po vuajnë pasojat e keqqeverisjes së dyshes Rama-­Meta. “Rruga Tiranë-­Elbasan ka vite që nuk përfundon. Qytetarët duan të ikin, janë rritur taksat dhe çmimet. Ne nuk jemi dele, këta premtuam 300 mijë vende pune. Sejdini do të vijojë të paguajë për dyshen Rama-­Meta”, tha Basha.

Kurse në Librazhd, Basha duke prezantuar Fadil Brazhdën deklaroi se dëshpërimi i shqiptarëve është i madh. Kryedemokrati ka qenë edhe në Prrenjas ku është takuar me banorët dhe ka prezantuar kandidatin për këtë bashki, Bajazit Karriqi. Kreu i PD-së tha se Karriqi do të garojë përballë deputetes Miranda Rira të LSI-së, e cila sipas tij nuk pati kurajë të thoshte jo rritjes së taksave si pjesë e maxhorancës.

“Ekonomia, shëndetësia e siguria janë përkeqësuar. Kemi kryeministër turist dhe një popull refugjat. Karriqi do të garojë përballë deputetes së LSI-së Miranda Rira, e cila nuk pati kurajë ti thoshte jo rritjes së taksave”, tha Basha.

Sakaq Partia Demokratike ka zyrtarizuar sot kandidatin e saj për Bashkinë Bulqizë për zgjedhjet e 21 qershorit. Durim Balla është kandidati që PD do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: