TIRANE – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar sot qeverinë për indiferencë dhe braktisje të minatorëve, pas vdekjes së 48-vjeçarit Gjovalin Ndreca një ditë më parë në minierën e Munellës. Për më tepër, edhe pas reagimit të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Basha nuk ka hequr dorë nga zbardhja e së vërtetës për atë që ndodh në miniera dhe ka replikuar me Qeverinë pa folur vetë më, por duke postuar mesazhin e një grupi minatorësh nga Munella që akuzon MEI-n. Sipas tyre, tragjedia ishte e paralajmëruar dhe ministria ishte në dijeni të problemeve, por ka heshtur. “Duket se firma që kryen shfrytëzimin, – shkruajnë minatorët, – ka qënë e aftë jo veç të korruptojë inspektorët, por deri tek ministri, sepse ministria ka paralajmëruar firmën për kryrjen e këtij inspektimi 3 ditë përpara se të vijnë, prandaj ky inspektim nuk mund të quhet rutinë.”

Por, Ministria e Energjisë e ka vijuar replikën me Bashën, duke i shprehur keqardhjen për përdorimin e viktimave për të bërë opozitë si dhe të mesazheve anonime.

BASHA: TRAGJEDI NJEREZORE DHE INDIFERENCE QEVERITARE ME MINIERAT SHQIPTARE

Në mesazhin e tij të parë, lidhur me tragjedinë, Basha ka shkruar paraditen e sotshme: “Dje vdiq nga shembja e galerisë në Munelle, Gjovalin Mark Ndreca, baba i dy fëmijëve, nga fshati Kimez, i komunës Gjegjan. Familjes Ndreca dua t’i përcjell edhe publikisht ngushëllimet e mija për humbjen dhe dhimbjen e madhe. Asnjë fjalë nga kryeministri dhe manaret e tij. Heshtje dhe indiferencë që vret. Jetët e minatorëve nuk kanë asnjë vlere. Deri dje hidhnin lot krokodili për çdo aksident miniere dhe betoheshin se do rrisnin sigurinë, por kur erdhën në pushtet i braktisen edhe minatorët si shumë njerëz të punës. Në 1 vit e gjysmë ka patur më shumë viktima në minierat shqiptare se asnjëherë më parë. Braktisja ndihet kudo. Kryeministri dje jepte shfaqje me keca dhe manare por nuk gjeti kohë as të ngushëllonte njerëzit që flijoheshin ne minierat e vendit. Kjo qeveri e ka hallin dhe mendjen vetëm tek vetja”-shkruan Basha në rrjetin social “Facebook”.

REAGON MEI: BASHA NUK PRITI HETIMET, GJEN RASTIN TË SPEKULOJË

Ora 11:30 Ministria e Energjisë dhe Industrisë reagoi pas deklaratës së kreut të opozitës lidhur me vdekjen e minatorit Gjovalin Prenga, duke e akuzuar për spekulime dhe për përdorimin politik të fatkeqësive të qytetarëve.

Sipas Ministrisë, “Basha pa pritur hetimet për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në minierën e bakrit në Munellë, gjen rastin të spekulojë dhe përdorë politikisht çdo vdekje. Ndryshe nga zoti Basha që preferon të derdhë lot krokodili e të përdorë politikisht vdekjet e minatorëve, qeveria ka bërë realitet uljen e moshës së daljes në pension me 5 vite dhe ka rritur ndjeshëm pensionet për 3840 minatorë. Në vend që të heshtë për katrahurën që qeveria e tij ka lënë trashëgimi në industrinë minerare, kryetari i Partisë Demokratike zgjedh sot të spekulojë për përfitime të pastra politike”.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron se: “Me të marrë njoftimin për aksidentin me pasojë vdekjen e minatorit Gjovalin Prenga, punonjësit e Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të kryer verifikimet dhe nxjerrë përgjegjësitë. Duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes së minatorit të vdekur, Ministria e Energjisë dhe Industrisë garanton se shumë shpejt RISHM-i do të publikojë rezultatin e hetimit dhe do të merren masat përkatëse për aksidentin”.
“Ministria e Energjisë dhe Industrisë i kujton opinionit publik se gjatë tetë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, zonat minerare u parcelizuan në mënyrë kriminale. Qeveria e mëparshme lëshoi mbi 1200 leje minerare pa pyetur për kriteret e sigurisë së punës për minatorët dhe as për të ardhurat në Buxhetin e Shtetit. Në më shumë se një vit e gjysmë qeverisje, kemi kryer kontrolle të vazhdueshme dhe të befasishme në subjektet minerare në të gjithë vendin. Kontrolle që nuk ishin bërë prej shumë vitesh duke lënë minatorët në mëshirën e fatit. Janë anuluar mbi 200 leje minerare të cilat nuk respektonin kriteret e sigurisë dhe nuk shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit. Janë pezulluar pjesërisht në aktivitetin e tyre qindra subjekte të tjera deri në plotësimin e kushteve të sigurisë. Janë fshirë nga regjistrat mbi 300 leje të tjera të cilat rezultonin fiktive, abuzive dhe pa asnjë aktivitet minerar. Ndryshe nga vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, kur pas aksidenteve u vihej faji viktimave, çdo aksident i ndodhur në miniera është hetuar me seriozitet dhe janë marrë masa të rrepta deri në revokimin e lejeve minerare. Në zbatim të ligjit të ri për minierat, shumë shpejt do të zgjidhet plaga e mbivendosjeve të lejeve minerare, kryesisht në rajonin krommbajtës të Bulqizës. Do të anulohen të gjitha mbivendosjet e lejeve minerare të dhëna gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, e që kanë krijuar jo vetëm rrezikshmëri për punën e minatorëve por edhe deri konflikte me pasojë jetë njerëzish”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Energjisë.

BASHA, NE VEND TE REPLIKES, POSTON MESAZHIN E NJE GRUPI MINATORESH NGA MUNELLA

ORA 15:30Pas reagimit të Ministrisë së Energjisë, kryetari i PD-së është kundërpërgjigjur me mesazhin e një minatory, i cili rrëfen qartë se ttragjedia në Munellë ishte e paralajmëruar një vit parë.

Në mesazhin me titull: Në vend të replikës me qeverinë. Basha shkruan:

“Zoti Basha, ju faleminderit që përmende tragjedinë e Munellës, sepse une vetë jam minator prej 5 vjetësh në këtë minierë dhe sa për dijeni këtë herë, në këtë rast, është tragjedi e paralajmëruar të paktën 1 vit më parë.

Ne, punëtorët e Munellës, e dimë fort mire se miniera është jashtë çdo kushti minimal të sigurimit teknik që aty të punohet. Ka rrezik nga shembjet masive dhe më e keqja, ka një ajër të ndotur nga mjetet motorrike, që çdo ditë na vret nga pak. Kemi kërkuar nga shteti që miniera të inspektohet nga inspektorët e RISHMIT, por mesa duket firma që kryen shfrytëzimin ka qënë e aftë jo veç të korruptojë inspektorët, por deri tek ministri, sepse ministria ka paralajmëruar firmën për kryrjen e këtij inspektimi 3 ditë përpara se të vijnë, prandaj ky inspektim nuk mund të quhet rutinë.

Zoti Basha, ju lutem çojeni këtë problem në parlament sepse kjo që i ka ndodhur shokut të punës, mund të na ndodhë edhe ne, dhe në mënyrë që ata inspektorë të RISHMIT mos të na vrasin prapë dhe ministri të kërkojë falje para nesh, sepse mëkati i vdekjes së shokut tone rëndon i gjithi mbi të !!! Me respekt nga një grup minatorësh nga Munella. Ju lutem, veproni sa më shpejt, sepse vdekja nuk fal”

MINISTRIA E ENERGJISE: BASHA ZGJODHI TE PERGJIGJET ME MESAZHE ANONIME

Ora 17:10 Ministria e Energjisë dhe Industrisë i është kundërpërgjigjur për të dytën herë kryedemokratit. Me një deklaratë, ajo ka kërkuar prej tij të kërkojë falje për identitetin e gabuar të minatorit që humbi jetën dhe e konsideroi pak të besueshëm, mesazhin nga minatorët anonimë.

“Ende pa mësuar identitetin e saktë të viktimës që humbi jetën ditën e djeshme në minierën e Munellës,- thuhet në deklaratën e MEI-it, – Kryetari i Partisë Demokratike nxitoi të sulmojë qeverinë. Nëse vërtet merakoset për jetën e minatorëve dhe kushtet e tyre të punës, z.Basha duhet të kishte mirësinë që së paku t’u kërkonte ndjesë familjarëve për deklarimin e një identiteti të gabuar të viktimës. Kështu, do të mund të bëhej sado pak i besueshëm e të provonte se nuk e përdor vdekjen për motive të pastra politike. Zgjodhi të përgjigjet me mesazhe anonime. Lulit ka kohë që nuk i bëjnë përshtypje gënjeshtrat. Keqardhje për këtë nivel të ulët të të bërit opozitë duke përdorur viktimat.”

SHEMBET MASIVI I DHEUT, VDES NË GALERI MINATORI 48-VJEÇAR

Shembja e një masivi dheu i ka marrë jetën një minatori nga Puka. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, në minierën e bakrit, në malin e Munellës. 48-vjeçari Gjovalin Prengaj, nga fshati Kimëz, ishte duke punuar në një thellësi prej 2000 metrash, kur ka mbetur i vdekur në galeri. Ndërsa, janë lënduar dy minatorë të tjerë. Pas afro një orë punë, forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse kanë nxjerrë nga galeria trupin e pajetë të minatorit. Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Galeritë e minierës së Munellës shfrytëzohen nga një koncesionar turk, të cilit një vit më parë iu bashkua dhe një kompani kineze e nxjerrjes dhe pasurimit të mineraleve. Vetëm pak javë më parë, me kërkesë të Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, një grup specialistësh nga Ministria e Energjetikës inspektuan minierën në fjalë. Ata deklaruan se kushtet e punës dhe të sigurisë në këtë minierë ishin në parametra normalë. Pas vdekjes së minatorit, kanë reaguar sindikalistët. “Pak javë më parë, RISHMI inspektoi minierën, ndërsa u tha se kushtet e punës janë brenda standardeve. Pas raportit të RISHMI-t, minatorët ndaluan protestat që kishin nisur për kushtet e këqija në punë. Vlerësuesit e kushteve të punës duhet të mbajnë përgjegjësi. Do i drejtohemi Prokurorisë”, – tha sindikalisti Gjon Zeka.

(ar.sh/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: