TIRANË

“Ne jemi shumica”. Kështu ka deklaruar lideri i opozitës Lulzim Basha mbrëmjen e sotme duke iu bërë thirrje shqiptarëve të refuzojnë dhunën pasi ajo i jep oksigjen kryeministrit Edi Rama, të cilin e quajti ‘kufomë politike’.

Basha tha se 30 qershori është kthyer në varrezën politike të Edi Ramës, ndaj iu kërkoi shqiptarëve të mos bien pre e provokimeve të tij. “Refuzojeni, braktiseni. Denonconi gjithçka që regjimi i tij bën. Të jemi bashkë më 30 qershor duke ngritur zërin si qytetarë të denjë europianë. Ne jemi shumica”, theksoi Basha.

PJESË NGA FJALIMI I KREUT TË PD
Krimi financoi gjithë opozitën e tij. Krimi u mobilizua për të marrë votat për ta sjellë në pushtet dhe krimi u shpërblye nga qeverisja që buroi prej tij.
Opozita zhvilloi një betejë të ashpër për largimin e krimit nga parlamenti. ka qenë një betejë e vështirë në momentin e fortë të rilindjes kur ajo sapo kishte ardhur në pushtet. Atëherë na u desh të bënim çdo përpjekje që të arrinim ligjin e dekriminalizimit. Ata që mendojnë se me Ramën mund të funksionojë gjuha institucionale le të kujtojnë luftën për dekriminalizimin. Kujtoni sulmet e tij ndaj nesh dhe talljet e tij ndaj nesh dhe të gjithë ata që u përzunë nga dekriminalizimi. Pa mbaruar mirë dekriminalizimin na u desh të përballemi me kanabizimin e vendit. Ju kërkoj të rikujtoni talljet, fyerjet ndaj denoncimeve tona. Kujtoni sulmet ndaj Dritan Zaganit dhe kujtdo që guxoi të ngrinte zërin kundër drogës. Vetëm më këmbëngulje arritëm të zgjonim botën që të bënte presion.
Kujtoni koncesionet.
Pa bojkotet tona, pa denoncimet tona, pa çadrat, Edi Rama do vazhdonte të ishte rilindës dhe të tjerë ministra dhe Vangjush Dako pranë mandatit të katërt.
Në rrugëtimin tonë kemi bërë gabimet tona. Ka shumë gjëra që do donim ti kishim bërë ndryshe.
Vendimi për mandatet shumë i vështirë.
Të respektojmë mundin dhe sakrificat e çdo shqiptari gjatë këtyre 6 viteve. Çdokujt që ka rezistuar dhe është denoncuar nga ky regjim. Ne sot jemi shumica, më të bashkuar se kurrë gjatë këtyre 6 viteve. Më të qartë se kurrë, me një qëllim të drejtë dhe një kauzë të madhe.
Shpesh arma më e fortë është durimi dhe këmbëngulja. Forca jonë është besnikëria ndaj kauzës. Sot kemi arritur shumë, të zbulojmë fytyrën e vërtetë të regjimit. Kemi arritur të krijojmë një koalicion të madh njerëzish e qytetarësh. kemi arritur të ngjallim shpresën që do bëhet edhe më e madhe kur ne të ndajmë vizionin për ti dhënë fund ciklit të së keqes. 30 qershori, dita kur Edi Rama do të kryejë aktin e fundit të tij para rrëzimit të regjimit. 30 qershori është rrëzuar pa ardhur ende. 30 qershori është kthyer në varrezën politike të Edi Ramës. Ka vetëm një mënyrë t’i japim oksigjen kësaj kufome politike, kjo është dhuna. Nuk do lejojmë që asnjë fije floku i asnjë shqiptari të preket për të zgjatur jetën e kësaj kufome politike. Ju ftoj të mos biem pre e provokimeve të Edi Ramës, refuzojeni, braktiseni. Denonconi gjithçka që regjimi i tij bën. Të jemi bashkë më 30 qershor duke ngritur zërin si qytetarë të denjë europianë. Ne jemi shumica.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb