TIRANË – (Në përditësim) Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i PD-së Lulzim Basha kanë replikuar gjatë me njeri tjetrin në Fb, sot për çmimin e energjisë elektrike.

Basha ka hedhur poshtë pretendimet e Ramës se me ndryshimin e çmimit u hoq vetëm fasha e vjedhjes dhe ka ngulur këmbë në faktin se çmimi i saj u rrit nga 7.7 në 9.5 lek për kilovatorë, pa përfshirë këtu TVSH-në. Por Rama i është përgjigjur duke përdorur gjithfarë figurash letrare e krahasimesh. “Vajmedet PD,‬ je bërë si orkestër dasmash pa dasmorë!”, – shkroi ai në një rast.

Debatin e ka vazhduar sërish Basha, duke i bërë të qartë Ramës se nuk nuk ia hedh dot. “Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin” – shkroi ai si kundërpërgjigje, duke theksuar sërish se “përkeqësimi ekonomik, papunësia, rritja e çmimeve dhe varfëria janë reale dhe jo shpikje të opozitës.”

DEBATI QE U ZHVILLUA SOT NE RRJETET SOCIALE

MESAZHI I PARE I RAMES: KOMPENSIMIN DO TA KENI NE PAGE QE NE JANAR

Kryeministri e ka komentuar si pozitiv, ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike dhe u ka vënë në dukje qytetarëve se që nga janari, kryefamiljarëve do t’iu shtohet në pagë, kompensimi për energjinë.

“U hoq vetëm fasha 300 kW që i jep fund vjedhjes duke u fshehur pas fashës. Kjo reformë do të sjellë drejtësi, mirëqënie, kursim energjie! Çdo pensionist kryefamiljar, çdo invalid apo familje në ndihmë ekonomike do të ketë nga janari në pagën e vet, lekët për të paguar diferencën,”- shkruan Rama në Fb. Po ashtu, ai i është rikthyer parashikimeve të deputetëve opozitës për pasojat e rënda që do të sjellë ndryshimi i çmimit, duke i konsideruar si “gënjeshtarë”.

“Mos i harroni lajmëtarët gënjeshtarë që me muaj ju morën shpirtin duke ju thënë se çmimi i energjisë do rritej e as bukë s’do prodhohej më,”- shprehej ai më tej.

BASHA: ÇMIMI I I ENERGJISE U RRIT, ESHTE FAKT ZYRTAR

“Çmimi i energjisë u rrit nga 7.7 në 9.5 lekë për familjarët. Pa llogaritur këtu edhe 20 përqind TVSH! Ky është sot një fakt zyrtar. Vajmedeti thotë “jo, mos besoni”. Edhe mashtruesit me ordinerë nuk luftojnë dot kundër fakteve të tyre. Duhet të jesh gënjeshtar patologjik të besosh se mund t’jua hedhësh njerëzve përherë.

Papunësi, varfëri, rritje taksash, rritje çmimesh – kjo është qeverisja Rama-Meta. Durimi i shqiptarëve ka një kufi, – thekson Basha në përfundim duke paralajmëruar protesta të reja – Po vjen koha t’i tregojmë sharlatanëve, vendin, si kudo në botën e qytetëruar.”

RAMA: PD, JE BERE SI ORKESTER DASMASH

Pas Bashës, Ram ka shkruar:”Asgjë më e vajmedetshme nuk mund ta gjejë një parti se sa të marrë popullin për budalla. ‎Vajmedet PD,‬ je bërë si orkestër dasmash pa dasmorë!”

BASHA: PAUDHESITE E RAMES JANE SHKAQET E KESAJ KRIZE

Por, kryetari i PD-së e ka vazhduar debatin dhe nuk i është ndarë Kryeministrit dhe ironive të tij. Ai i është përgjigjur me të tjera figura letrare: “Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin, – ia bën të qartë Basha, Ramës. – Përkeqësimi ekonomik, papunësia, rritja e çmimeve dhe varfëria janë reale e jo shpikje të opozitës. Paudhësitë, arroganca dhe mashtrimet e Ramës janë shkaqet e kësaj krize. Nuk ja hedh dot Vajmedeti duke e bërë popullin për budalla e duke sulmuar opozitën.”

RAMA: ULET ÇMIMI MESATAR NGA 9.9 DERI 10.3, TANI 9,5 LEKË
Siç duket shumë nga llogaritarët që komentojnë këtu, ose nuk e kanë paguar ndonjëherë vetë energjinë ose, të më falin, po e kanë vjedhur! Ose pastaj thjesht flasin kot duke harxhuar lekët e Internetit për të vrarë kohën… Sepse çmimi i energjisë ka qënë 7.7 vetëm për fashën 300KË, e cila u vendos medemek për të mbrojtur të varfërit.
Po çfarë ndodhi? U futen pas fashës edhe vjedhësit e energjisë dhe fasha mbrojtëse e të varfërve u kthye në mburoje e hajdutërisë. Duke hequr fashën çmimi bëhet i njëjtë për të gjithë konsumatorët dhe ata që duhen mbrojtur nga heqja e fashës, qeveria i mbron me pagesë të drejtëpërdrejtë në pagën e pensionit, të invalidit apo të familjes në ndihmë ekonomike. Të tjerët do të paguajnë mbi bazën e çmimit mesatar, i cili në janar bëhet 9.5 për të gjithë konsumatorët familjarë nga 9.9 deri 10.3 që varion sot – pra çmimi mesatar ulet jo rritet! Kjo është aritmetika e thjeshtë e çmimit të energjisë dhe jo hesapi pa hanxhiun i atyre që thonë “Ishte 7.7 u bë 9.5”!
Sepse, e përsëris, 7.7 është vetëm për fashën dhe nuk është çmimi i sotëm mesatar i energjisë për të gjithë! Heqja e fashës dhe vendosja e çmimit mesatar fiks i jep fund vjedhjes masive dhe vendos një sistem të drejtë ku askush nuk mund të shmanget në kurriz të më të varfërve siç ka ndodhur deri sot. Kush nuk është pensionist kryefamiljar, invalid apo anëtar i një familjeje me ndihmë ekonomike, nuk do të paguajë më shumë, po vetëm aq sa i takon në bazë të konsumit që bën.
Të tjerat janë spekullime të turpshme për interesa të ulëta politike ose thjesht hesape të gabuara, për faj të të mësuarit keq duke e shpenzuar energjinë si mall pa zot!

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb