TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka bërë thirrje sot punonjësve të policisë “të mos përlyejnë më tej uniformën e të mos zbatojnë urdhrat politikë për dhunimin e qytetarëve dhe të rinjve”. Pas takimeve të shumta në Lezhë me banorë dhe përfaqësues vendorë, Basha ka shkruan në faqen e tij të Facebook se oferta e vetme e Ramës është dhuna.

“Dhunë në Kamzë, dhunë në komisariatin 5, dhunë tek greva e urisë. Vendi zien, revolta rritet. Rama nuk ka ndërmend të dëgjojë e të japë zgjidhje. Oferta e tij e vetme është dhuna. Do të mbajë përgjegjësi ai dhe gjithë shërbyesit e tij të porosive politike me uniformën e shtetit. U bëj thirrje efektiveve të policisë të mos përlyejnë më tej uniformën, të mos zbatojnë verbërisht urdhrat politikë për dhunimin e qytetarëve dhe të rinjve që po kërkojnë të drejta ekonomike e drejtësi në arsim! Për çdo shkelje dhe dhunim do japin llogari para ligjit!”, ka shkruar Basha.

Duke iu referuar grevës së studentëve të mjekësisë, Basha i ka kërkuar prokurorisë të nisë hetimet për shkelësit e ligjit dhe urdhëruesit e tyre, pasi po dhunohen të drejtat dhe liritë themelore.
“I bëj thirrje Prokurorisë së Tiranës, mos të rrijë duarkryq para këtyre veprave kriminale por të nisë menjëherë hetimet për shkelësit e ligjit dhe urdhëruesit e tyre. Mosveprimi i institucioneve kur dhunohen të drejtat dhe liritë themelore shkatërron nga themelet besimin dhe respektin për to”, ka shkruar kreu i demokratëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: