TIRANË

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me mbështetësit në zonën e Kinostudios në kryeqytet pasditen e sotme. Teksa foli për betejën e opozitës, Basha nuk la pa përmendur edhe rrugën Milot-Balldren. Ai tha se Rama po bëhet gati të ndërtojë rrugën e florinjtë për një grusht hajdutësh të babëzitur. Vlera e kësaj rruge, 296 milionë euro për 17 km, është e barabartë me taksat e bizneseve të katër viteve.

“Kjo bandë kriminale është vërsulur si kurrë ndonjëherë në histori në atë që po luhet janë paratë e vogëlushëve shqiptarë, djersa e prindërve të tyre. Stekat janë të larta, 296 mln euro është një prej tyre për 17 km rrugë. Për Milot-Balldrenin, rrugën e florinjtë. Bota iu ka vënë emra të ndryshëm rrugëve tregtare. Rama po bëhet gati të ndërtojë rrugën e florinjtë, jo për qytetarët por për një grusht hajdutësh të babëzitur. 296 mln euro për 17 km. Shumë prej jush këtë javë keni qenë derë më derë tek biznesi i vogël. Keni trokitur për t’i njohur me platformën tonë, me programin tonë. Për t’iu dhënë një program shprese. Ne të gjithë e dimë se cili është ky program, detyra jonë ta dijë gjithë Tirana e Shqipëria. Dua t’i drejtohem çdo biznesi në Tiranë e tiu them se të gjitha këto taksa që keni paguar këto vite qeverisë dhe Uriah Hipit të bashkisë, të gjitha këto taksa bashkë, janë e barabartë me këtë shumë që Edi Rama po e jep me një dorë për 17 km.
Ditët e fundit ndërkohë që rilindja është në vdekje klinike dhe laku i është ngushtuar si nga lëvizja popullore ashtu dhe nga faktori ndërkombëtar, në këto ditë të fundit krimet korruptive po marrin masa të papërballueshme. Taksat e 4 viteve po jepen me një dorë, pa garë, 290 mln euro. Ja ku çon makutëria e një bande që qeveri nuk është. Nuk erdhi si produkt i votës së lirë. Nuk e ka lidhur fatin me qytetarët por me këta 6 apo 7 oligarkë, me disa pronarë mediash që qëndrojnë pas tyre dhe ndonjëherë para tyre dhe me një grusht kriminelësh. Këta janë serumi që e mban akoma në koma organizatën kriminale të Rilindjes”, deklaroi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb