Basha flet për ekipin e ri drejtues të PD: Qëllim, largimi i Ramës

TIRANË

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka folur për ekipin e ri drejtues të PD por ka rrëfyer dhe pyetjen që i bëjnë më shpesh njerëzit në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Ai la të kuptohet se është kundër largimit me forcë të Ramës nga pushteti.

“E di që çfarë do që të them, shumica e njerëzve shohin më shumë problemin e dukshëm, të menjëhershëm, urgjent që ne ndeshemi si shoqëri: largimin e regjimit shkatërrimtar të Edi Ramës.
Unë e di se për të gjithë këto që unë kam folur shumë njerëz duan një zgjidhje të menjëhershme, të shpejtë dhe të thjeshtë të problemit Rama. Nëse ka një pyetje me të cilën ndeshem ditë për ditë është; kur do e rrëzoni Ramën, si do ta rrëzoni Ramën. Dua të jem i qartë. Unë dua ta rrëzojmë tani, dhe kjo mund dhe do te të arrihet vetëm në një mënyrë: duke i bërë njerëzit për vete, duke ju ngjallur atyre besimin tek ne, që do t’i sjellë ata rreth nesh. Sa më shumë shqiptarët të bashkohen rreth nesh, aq më shpejtë do bjerë Edi Rama. Ndaj zgjidhjen kryesore të problemit Rama nuk e gjejmë dot as në rrugë, dhe as në institucione, por tek mendjet dhe zemrat e njerëzve”, tha Basha.

Ai u shpreh se nëse njerëzit besojnë tek ne, nëse njerëzit do të kenë shpresë tek ne, Edi Rama do të rrëzohet edhe formalisht pasi moralisht dhe politikisht ka rënë me kohë.
“Njerëzit janë të zgjuar, ata dinë ta dallojnë politikanin që mendon për ta nga ai që bën sikur mendon për ta duke punuar për vete. Ata dinë ta dallojnë politikanin e sinqertë, të vërtetë nga ai mashtrues. Politikanin e përkushtuar nga përçmuesi dhe arroganti.
Një nga arritjet e mëdha të Partisë Demokratike dhe të këtij Këshilli janë pikërisht njerëzit e propozuar që do të konkurrojnë për postet e larta drejtuese në parti përmes një procesi të hapur, demokratik dhe transparent. Janë që të gjithë demokratë të përkushtuar, të zotët, me integritet”, tha kreu i PD.

Basha njoftoi më tej se “për t’iu përgjigjur sa më mirë sfidave që kemi përpara, për të vënë të gjithë kapacitetet tona në shërbim të realizimit të objektivave të Partisë Demokratike kam vendosur të kemi një ndarje të funksioneve të deputetëve nga sekretariati organizativ i partisë. “Në këtë mënyrë organizimi i partisë, nuk do të jetë i ndërvarur por do të jetë i ndërthurur me betejat legjislative dhe politike të deputeteve apo detyrimi i tyre për të qenë sa më pranë votuesve të tyre”, tha Basha.

“Me kryesinë e re, ne do t’i përvishemi menjëherë punës për të krijuar një alternativë të fortë qeverisëse dhe një ekip të zotin dhe me dinjitet për të udhëhequr zbatimin e kësaj alternative”, u shpreh më tej ai.
Basha theksoi se 4 shtyllat e alternativës së PD kthejnë shpresën dhe besimin, por në fillim do të udhëheqim protestat për largimin e së keqes.
“Ndaj ne kemi një rrugë për t’u përballur me këtë, është rruga e angazhimit të të gjithë qytetarëve, e bashkimit të të gjithë qytetarëve, për t’i dhënë fund kësaj fasade. Ka marrë një goditje fatale nga lëvizja studentore, duhet të marrë tani një goditje përfundimtare nga qytetarët e bashkuar.
Një gjë është e sigurt: kjo qeveri ka rënë. Ka rënë para syve të qytetarëve, ka rënë para syve të Europës dhe të gjithë botës. Ka rënë edhe para syve të socialistëve të ndershëm, nuk përfaqëson asgjë më, përfaqëson vetëm një interes privat të Edi Ramës, në funksion të grabitjes vjedhjes dhe sundimit të vendit për interesa personale.
Unë jam i ndërgjegjshëm se shqiptarët nuk kërkojnë thjesht dhe vetëm largimin e një njeriu, por largimin e këtij modeli dhe zëvendësimin e tij me një model që të punojë për ta. Nuk mund të shpikim modele, i vetmi model që mund të funksionojë është modeli europian”, u shpreh ai.

Basha tha se sot do të vendoset për aksionin politik dhe përballjen e madhe që do të nisim bashkë.
“Për ndarjen e politikës nga krimi përmes vettingut të politikanëve. Për t’ua marrë Shqipërinë oligarkëve dhe për t’ia kthyer atë qytetarëve përmes platformës sonë antimafia, për dekriminalizimin e zgjedhjeve. Për një Shqipëri të taksave të ulëta, që financon, subvencionon dhe ndihmon gjithçka që rrit prodhimin, rrit punësimin dhe u jep shanse për punësim të gjithë shqiptarëve e në veçanti rinisë shqiptare. Integrimin e Shqipërisë në BE.
Por së pari vjen beteja dhe përballja e madhe për demokracinë dhe shtetin ligjor duke udhëhequr protestat popullore për rrëzimin e Ramës dhe për ta shporrur këtë model mjehëherë e mirë institucionet, nga politika, nga Shqipëria. PD do ta udhëheqë këtë beteje jetike për Shqipërinë bashkë me shqiptarët dhe do ta fitojmë këtë betejë”, deklaroi kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb