Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka risjellë sërish në vëmendje mesazhet që ka dhënë sot në një takim me biznesin në Sarandë, ndërsa ka sulmuar kështu qeverinë. Në një mesazh në ‘Facebook’ Basha thekson se qeveria e konsideron biznesin si kalçeto të oligarkëve.


Po ashtu lideri i PD-së shkruan se “Biznesi ka nevojë për një qeveri që t’i dëgjojë, t’i kuptojë dhe t’i mbështesë dhe ne do ju dëgjojmë, mbështesim dhe do ju japim dorën, sa herë të keni nevojë për ndihmë”.


REAGIMI I BASHËS
Politikat ndaj biznesit janë dështim spektakolar i kësaj qeverie e cila e konsideron biznesin si privilegj të cilin ia ka dhuruar kalçetos së oligarkëve, në vend që të respektojë të drejtën e çdokujt për të krijuar mirëqenie për veten, familjen dhe komunitetin.
Në zemër të vizionit tonë për rikthimin e shpresës, ndryshimin e gjendjes ekonomike dhe ndaljen e emigracionit, është çlirimi dhe rimëkëmbja e biznesit e sipërmarrjes, duke përfshirë sektorë kyç siç është sektori i turizmit.
Bashkë do ti kthejmë problemet dhe hallet e përbashkëta, në zgjidhje të përbashkëta, sepse vendit nuk i mungon as potenciali dhe as rruga për të dalë nga kjo krizë.
Biznesi ka nevojë për një qeveri që ti dëgjojë, ti kuptojë dhe ti mbështesë dhe ne do ju dëgjojmë, mbështesim dhe do ju japim dorën, sa herë të keni nevojë për ndihmë.
(BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb