TIRANË- Krimi, droga dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë qenë tre çështjet kryesore të diskutuara nga kryedemokrati Lulzim Basha me gazetarë, artistë, njerëz të medias. Pas takimit Basha, tha se këto janë problematika që nuk i përkasin vetëm PD-së por gjithë shqiptarëve.

“Problematika që nuk i përkasin vetëm PD por me të cilat përballen Shqipëria dhe shqiptarët. Gjatë takimit më shumë dëgjova dhe ky ishte dhe qëllimi i takimit. Dal më inkurajuar dhe më i vendosur për të ndërtuar së bashku me shqiptarët një aleancë sa më të madhe, sa më solide për të siguruar luftën kundër krimit, mposhtjen e krimit dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha kreu i PD.

Basha theksoi se ‘këto janë procese konsultimi reflektimi, të cilat kanë nisur prej kohësh do të vazhdojnë dhe do të konkludojnë me formulimin e një aksioni opozitar për të cilin do t’u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve të kenë rolin e tyre”.

I pyetur për përjashtimin e deputetit Mëhill Fufi, Basha tha se ka patur një komunikim për këtë çështje dhe do të ketë të tjera sipas interesit të mediave, por nuk ka preferuar dalë nga tema e takimit të sotëm.

“Për këtë çështje ka pasur një komunikim dhe do të ketë edhe të tjera sipas interesit tuaj”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: