Kreu demokrat Lulzim Basha nga ish-Kinostudio në Tiranë deklaroi se Edi Rama dhe banda e tij kriminale do të rrëzohen.

Basha theksoi se të dielën do i jepet grusht tiranisë, do i jepet “grusht” të gjithëve atyre që qëndrojnë pas kryeministrit e që janë përfshirë në vjedhje votash.

“Vangjush Dako dhe Taulant Balla janë kapur duke vjedhur votat me Niçet. Në krye të vendit është një njeri që ka kapur gjithçka dhe fut në burg njerëzit e ndershëm, profesionistët. Si ushqim qensh është për të vota e shqiptarëve. Kjo është arsyeja pse Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ndërsa në Prokurori shtrihet dora për të vjedhur e grabitur. Ka vetëm një forcë që do ta ndalojë e ajo është forca që derdhet në bulevardin e Kombit, javë për javë më e vendosur.  Është edhe bashkimi, edhe shpresa për më mirë . Sot që na ndajnë vetëm 2 ditë nga protesta, mund të them se sot është dita për të luftuar për qytetin tonë, kryeqytetin tonë, shtetin tonë. Asnjë çast të mos ndalojmë për t’i dhënë grusht tiranisë ditën e diel, për të fituar populli i bashkuar”, tha Basha.

Kryetari i PD Basha shtoi se shumë qytetarë e kanë pyetur se kur do ta rrëzojnë Edi Ramën.

Basha u shpreh se kjo është në dorën e qytetarëve, ndërsa sipas tij, vetëm protestat popullore do ta rrëzojnë Ramën nga pushteti.

“Qytetarët më kanë thënë shpesh ‘Kur do ta rrëzoni, kur do ta hidhni”. Sot jam këtu në Tiranë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje. Përgjigjen po e jap unë: Ejani të dielën në orën 19.00, ejani me ne, bëhuni pjesë e çlirimit të Tiranës, e çlirimit të Shqipërisë nga kjo bandë kriminelësh. Protesta dhe bashkimi popullor janë rruga e vetmja e rrëzimit të së keqes, e rrëzimit të bandës kriminale në pushtet.

Prindërit, në cilin vend mund të ulin kokën, kur një njeri i vendit me dekret kundër Kushtetutës, iu merr me një dorë taksat për të ndarë paratë me oligarkët. Kjo është babëzi kriminale. Ka dy rrugë, të hamë turpin me bukë përpara fëmijëve tanë apo të përballemi përditë, orë e minutë derisa ta largojmë këtë bandë. Është në dorën e njerëzve. Ne e kemi bërë zgjidhjen tonë, kur dogjëm mandatet dhe u rreshtuam përballë popullit. Kurrë më shumë se sot nuk ka qenë në dorën tuaj rrëzimi i një kaste të korruptuar”, tha Basha.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb