LEZHË

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë takimit me qytetarët e Lezhës ka ftuar ata në protestën e 16 shkurtit në Tiranë. Ai tha se të gjithë duhet të dalin në protestë për të dëshmuar se Edi Rama nuk është kryeministri i vendit, por hajduti i votave.

Sipas Bashës, kjo e fundit është faktuar nga investigimi i Zërit të Amerikës. Kryedemokrati u shpreh mes tjerash se PD-ja ka një plan të mirëfilltë për të rritur ekonominë dhe të mbështesë biznesin e vogël.

“Askush se paguan naftën më shtrenjtë se shqiptarët, Kudo që kam qenë ka dëgjuar se xhirot kanë rënë. Kjo është gjendja kudo dhe kjo po çon në mbylljen e bizneseve të vogla. Kjo është e papranueshme në tërësi. Kjo do të thotë se ekonomia është në krizë totale. Unë iu garantoj që ne si parti kemi një ndihmë, një plan për biznesin e vogël. Ju jeni pjesë e një zinxhiri të ekonomisë, i cili do të garantojë më shumë mirëqenie.  Energjia që premtoi se do ta ulte, ajo sot është rritur me 100 %.

Edi Rama është kapur në flagrancë duke vjedhur votat e shqiptarëve. E ka kapur Zëri i Amerikës. Të vini me 16 shkurt në Tiranë dhe t’i thoni se ai nuk është kryeministri juaj, por hajduti i votave”, tha mes tjerash  Basha.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se vijon të tallet me qytetarët duke u shtuar se ai vijon t’i nxjerrë “gjuhën popullit”.

“Del në Parlament dhe tregon gjuhën. Juve ua nxjerrë gjuhën. Këta hanë e pinë si derra. Nuk ka shpjegim tjetër kur vjen dhe sillet si majmun. Merr edhe produkte të shtrenjta”, shtoi ai.

Ai tha se Edi Rama është ulur në karrigen e kryeministrisë me ndihmën e Vangjush Dakos  dhe Niçes dhe disa të fortëve të tjerë si Bajrat në Shkodër dhe Ndokajt në Lezhë.

“Rama nuk është kryeministër, por atje e kanë çuar Gjushi dhe Nicja. E kanë çuar Bajrët  e Shkodrës dhe Ndokajt në Lezhë”, shtoi Basha.

Kreu i Partisë Demokratike tha se shqiptarët sot qeverisën jo nga një kryeministër, por një sharlatan që vijon të vjedhë paratë dhe pasurinë e shqiptarëve. Për Bashën, nuk ka rrugë tjetër për zhvillimin e Shqipërisë pa zgjidhur kontratën korruptive më parë me Edi Ramën.

“Shqiptarët po ngrihen dhe po bashkohen dhe po ia japin dorën njëri-tjetrit. Nga histori do të mësojmë shumë dhe ata që nuk e mësojnë e pësojnë dhe e përsërisin historinë. Me Edi Ramën nuk ka drejtësi, nuk ka punësim, nuk ka integrim.

Ditë për ditë po plasin skandale. Mirëqenia e shqiptarëve është në pikiatë dhe bizneset po mbyllin. Paratë e shqiptarëve i vjedh Edi Rama me një grup banditësh. Sot nuk kemi një kryeministër, por një sharlatan. Nuk është kryeministri i shqiptarëve, nuk është kryeministri i lezhjanëve, por kukulla e krimit. Ne do të eliminojmë taksën Rama mbi naftën.

Nafta dhe karburanti do të jenë 30o lekë më të ulëta. Taksat që do t’u merren shqiptarëve do tu kthehen serish atyre. Sot në Shqipëri nuk ka një proces partiak, por proces  banditësh”, theksoi Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb