TIRANE

Me argumentin se prokuroria nuk ka përmbushur detyrimet ligjore, për t’i bërë të njohura rezultatet e hetimit për cështjen e kontratave të lobimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha nuk iu përgjigj ftesës së saj, për t’u njohur zyrtarisht me akuzën.
Kryedemokrati Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi, janë marrë zyrtarisht të pandehur për pastrim parash dhe falsifikimi formulari, përderisa nuk justifikojnë dot shumën prej 650 mijë dollarësh, paguar lobistit Nik Muzin.

Në letrën drejtuar prokurorisë, Basha shprehet: “Njoftimi juaj nuk përmbush detyrimin ligjor të Kodit të Perocedurës Penale, neni 308, pika 4, i cili kërkon që ftesa për t’u paraqitur duhet të përmbajë parashtrimin e përmbledhur të fakteve, që rezultojnë nga hetimet e bëra deri në atë çast. Ju nuk keni njoftuar asnjë fakt që ka dalë nga hetimet në njoftimin tuaj duke mos plotësuar detyrimet tuaja ligjore”.
Kryeopozitari thekson më tej, se është i gatshëm të paraqitet në institucionin e akuzës, por se kërkon nga prokuroria të bëjë të njëjtën gjë, përmes plotësimit të ftesës për paraqitje.

Whatsapp Image 2019 06 17 At 09.38.09

Pavarësisht pretendimeve të liderit të opozitës, burime pranë prokurorisë për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ thanë se ftesa për paraqitje është e rregullt, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.
Në këtë situatë pyetja që shtrohet është: Si do të veprojë tani prokuroria me Lulzim Bashën dhe dy zyrtarët e tjerë të Partisë Demokratike?

Zyrtarisht institucioni i akuzës deklaroi se mosparaqitja e Lulzim Bashës, është shmangie nga hetimi dhe dy janë mundësitë, ose të urdhërohet shoqërimi, ose t’i drejtohen gjykatës me kërkesë për masë sigurie. Prokurorët e cështjes u mblodhën në mesditë për këtë cështje, por ende nuk dihet vendimi që kanë marrë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb