TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka bërë thirrje sot qytetarëve shqiptarë ti bashkohen protestës së opozitës, të enjten më 12 mars në orën 11:00 në sheshin Skënderbej, siç u shpreh ai “kundër krimit në pushtet”. Basha deklaroi se “kryeministri Rama dhe kreu i parlamentit Ilir Meta janë të përfshirë në skema likuidimesh e larje hesapesh”. Sipas tij, qytetarët po përballen çdo ditë me pamundësinë për të mbijetuar ndërsa Rama dhe Meta zhyten në luks.

“Shqipëria dhe shqiptarët që rënkojnë në një krizë të gjithanshme;

njerëzit që kërcënohen dhe rrezikohen nga mungesa e sigurisë, vetëm këtë fundjavë patëm një bilanc tragjik me 4 të vrarë e dy të plagosur;

papunësia që rritet, çmimet, faturat e papërballueshme që shtohen;

pandjeshmëria, braktisja dhe arroganca e qeverisë që thellohet çdo ditë;

dhuna, shpërfillja, poshtërimi i motrave, vëllezërve dhe prindërve tanë që ndodh kudo e në çdo zyrë të qeverisë e qeverisjes; aktet e dëshpëruara të vetëflijimit për shkak të padrejtësisë dhe politikës së lakut në fyt për të pamundurit, vetëm javën që po lëmë pas patëm 3 raste vetëvrasjesh;

shkelja me dy këmbë e ligjit dhe e drejtësisë, e themeleve të shtetit, nga dyshja në pushtet, Edi Rama dhe Ilir Meta, që edhe pse gjenden nën akuzat më të rënda të 25 viteve politikë, njëri për porositjen e vrasjes së dy deputetëve e tjetri si bashkëpunëtor, prapë nuk reflektojnë asnjë përgjegjësi, sepse janë të zhytur në babëzinë e luftës për pushtet; kriza e besimit dhe eksodi masiv më i larti pas viteve të para të rënies së komunizmit; Të gjitha këto, më detyrojnë të dal në këtë komunikim këtë të diel në darkë, pasi koha nuk pret më”, tha Basha.

Kryedemokrati theksoi se “qytetarët janë të zhgënjyer por pavarësisht problemeve të tyre dhe ekonomisë gjithnjë e më shumë në rënie, Rama dhe Meta nuk ndalen”.

“Nuk pret më koha, sepse e keqja nuk ka ndërmend të ndalet. Ajo po shtohet, e liga që vjen nga oligarkia në pushtet po shpërndahet kudo e po prek çdo familje, çdo vatër, çdokënd në Shqipëri. Edi Rama dhe Ilir Meta nuk kanë ndërmend të ndalen vetë. Kur vrasjet e atentatet me tritol kanë tronditur sigurinë e çdo familje dhe i kanë bërë njerëzit me hije, Edi Rama dhe Ilir Meta rezultojnë sipas akuzave të bëra nga radhët e tyre, të përfshirë vetë, drejtpërdrejt në skema likuidimesh dhe larje hesapesh. Kur varfëria thellohet dhe mjerimi arrin në nivelet më të panjohura në Shqipëri prej dy dekadash, Edi Rama dhe Ilir Meta zhyten në luks, rrisin çmimin e energjisë, rrisin taksat, rrisin abuzimet, rrisin koston e jetesës, e bëjnë të pamundur ekzistencën. Qindra mijëra familje janë sot në kufijtë e mbijetesës dhe mjerimit”, u shpreh Basha.

Sipas tij “kur ekonomia është në kolaps, kur nuk ka një investim, nuk ka një vend të ri pune, çdo ditë Rama dhe Meta nënshkruajnë kontrata e koncesione, tendera dhe shërbime për miqtë e klientët e tyre, me një korrupsion të përbindshëm”.

“Mjerim, varfëri dhe papunësi kudo për qytetarët, por ata, oligarkët po mbushin xhepat e trastat me paratë e taksapaguesve, nga shëndetësia, tek mbrojtja, nga rendi tek ekonomia, nga mjedisi tek çështjet sociale, nga financat tek doganat. Kudo ku ka një zyrë të qeverisjes, ka vjedhje, përvetësim, makutëri për pasurim të shpejtë. Kudo ku ka një zyrë të qeverisë ka një shëmbëlltyrë të zhvatjes e rrjepjes së qytetarëve, sipas modelit të dyshes në krye, Edi Rama-Ilir Meta. Misioni i tyre është i qartë për çdo shqiptar. Erdhën në pushtet me krimin, dhe çdo gjë që del prej duarve të tyre mban vulën kriminale”, nënvizoi kreu i PD-së.

Basha tha se qeveria nuk ka bërë asgjë për qytetarët dhe refuzon të dëgjojë zërin e tyre dhe partnerëve ndërkombëtarë. “Asnjë moment nuk gjen në dy vitet e qeverisjes së tyre, të kenë bërë një gjë të vetme për qytetarët e vendit. Një shërbim, apo një lehtësim. Refuzojnë të dëgjojnë opozitën. Refuzojnë të dëgjojnë apelin e partnerëve ndërkombëtarë.

Refuzuan të dëgjojnë zërin e bashkuar të shqiptarëve në protestën më masive të viteve të fundit, atë të 22 nëntorit. Refuzojnë me përbuzje të dëgjojnë bashkëqytetarët tanë që nuk munden më, që nuk ia dalin dot, që po shkojnë në akte ekstreme të vetëflijimit. Po kush janë këta që erdhën me premtime për të sjellë 300 mijë vende të reja pune, për të sjellë rend e siguri, për shëndetësi falas, për ulje të çmimit të energjisë, etj. Janë një klikë me ADN kriminale, që po bëjnë krejt të kundërtën e asaj me të cilën erdhën në pushtet”, akuzoi Basha.

Kreu i PD-së përsëriti thirrjen për protestë, duke kërkuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve politike, që sipas tij të rrëzohet krimi në krye të shtetit.

“A do t’i lëmë këta kumbarë që nuk pyesin për ligj e Kushtetutë, as për partnerët ndërkombëtarë, që nuk e vënë në defter popullin e tyre, që ta çojnë vendin në greminë teksa vetë kapardisen mbi dhimbjen, varfërinë e dëshpërimin e qytetarëve? Jo nuk do ti lëmë. Janë të pamëshirshëm e mizorë me pushtetin absolut që gëzojnë aktualisht, por janë frikamanë e tartabiqe, se e kanë kuptuar që ka nisur numërimi mbrapsht. Ka nisur numërimi mbrapsht. Të enjten e 12 marsit që po vjen le ti tregojmë Edi Ramës dhe Ilir Metës çdo të thotë të tradhtosh popullin, të braktisësh qytetarët, të shtosh hallet dhe mjerimin e tyre, të bëhesh koka e krimit që terrorizon shqiptarët. Shqiptarët do ta ndalin të keqen. Po afron ora e drejtësisë. Të enjten e 12 marsit, në ora 11:00 nga sheshi “Skënderbej” të nisim së bashku marshimin tonë kundër krimit në krye të shtetit, kundër padrejtësisë, kundër varfërisë dhe papunësisë. Le të bashkohemi të enjten në sheshin “Skënderbej” pa dallime moshe, bindje politike, prejardhje krahinore apo sociale në një betejë pa kthim për rrëzimin e krimit në krye të shtetit, për rrëzimin e diktatit të krimit, për Shqipërinë e ëndrrave tona europiane. Të enjten më 12 mars, në ora 11.00 në sheshin ‘Skënderbej’”, përfundoi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb