TIRANE– Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një takim me një grup të rinjsh ka kujtuar sot 2 Korrikun e 1990-ës, datën në të cilën 28 vite më parë, qytetarët e Tiranës hynë në Ambasadën Gjermane duke paralajmëruar fundit e regjimit diktatorial. Gjatë fjalës së tij Basha falënderoi të gjithë ata të rinj që në atë kohë u futën në ambasada dhe çanë digën që sipas tij solli edhe shembjen e murit të diktaturës. Lideri i PD nuk kurseu as kritikat për ambasadorët e huaj, ndërsa theksoi se këta të fundit nuk po mbajnë qëndrim për negociatat. Ai bëri të ditur se nuk do të bashkëpunojë për këtë çështje me qeverinë.

“Më vjen keq qe edhe sot ka pasur një investim donkishotesk edhe nga ndonjë i huaj që është bërë vegël e Edi Ramës, që flet për çdo gjë, vetëm për problemin jo. Problemi këtu nuk është bashkëpunimi opozitë-qeveri. Problemi është lidhja e qeverisë me krimin. Ata që thonë ‘bashkëpunoni, kërceni bashkë dhe e puthuni’ janë aut fare, ju ka mbaruar koha. Ne nuk bashkëpunojmë me qeverinë e krimit. Kemi mbajtur qëndrimin tonë për negociatat”, tha ai.

Mes të tjerash ai nuk kurseu ironitë dhe sulmet për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafajn, ndërsa tha se ai ishte një nga ata persona që u griste pantallonat të rinjve.

“2 korriku është një datë lirie. Një datë lirie, pasi është dita kur rinia shqiptare hodhi murin e izolimit, përmes ambasadave. Kanceri i komunizmit na kishte pushtuar në atë kohë. Pasaporta në atë kohë nuk jepej. Lëvizja edhe nga qyteti ishte e kontrolluar. Një vit para se të një vit para se të shembej sistemi u ekzekutua poeti Havzi Nela. Fatmir Xhafaj me shok i shkepnin pantallonat të rinjt, se i kishin pantallonat tub. Sot është dita t’u themi qindra mijërave të rinjve në atë kohë që shembën regjimin. Sot është dita t’u themi faleminderit atyre që u ngritën për atë që ishte çarja e digës në 2 korrik dhe më pas shembja totale e murit. Po sot pse jemi të izoluar? Jemi të izoluar nga tregjet, nga zhvillimi teknologjik. Sot ministri i Brendshëm mbron vëllain e tij të dënuar për drogë. Apo edhe kryeministri që është i lidhur me drogën. Ku jemi sot? Sot ka edhe hashash. Ndaj mbushen ‘Toyota Yaris’ me euro. Ku shkojnë këto para? Do i pastrojnë. Ndaj shihni kulla gjithandej. Ndaj do merret teatri që të bëhet kulla. Moshapja e negociatave është shembull i izolimit”, tha Basha.

Kujtojmë se ditën e sotme u zhvillua një tryezë pas konkluzioneve të Bashkimit Europian për negociatat e Shqipërisë, ku të pranishëm ishin ambasadorja e BE Romana Vlahutin si dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein. Vlahutin bëri thirrje që procesi analitik i BE-së për Shqipërisë do të nisë që këtë verë e prandaj sipas saj duhet punuar shumë sidomos për bindjen e vendeve skeptike, ndërsa ftoi opozitën që të bashkëpunojë me qeverinë.

“Opozita të shtrijë dorën për një lloj dialogu, pasi pa të është një proces i vështirë thuajse i pamundur. Duhet bashkim”, tha ambasadorja.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb