KURBIN

Kryetari i PD Lulzim Basha nga Kurbini deklaroi se Edi Rama ka vendosur si kandidat për Bashkinë e Lezhës Pjerin Ndreun, i cili figuron sipas tij në dosjen e shit-blerjes së votave në Dibër. Basha u shpreh se Ndreu duhet të ishte sot në burg, por Rama e kandidon në Lezhë.

“Rama do të prezantojë Pjerin Ndreun si kandidat në Lezhë, por duhet të ishte në burg për shit-blerjen e votave në Dibër, pasi është kapur me dosjen 184. Rama do të çojë në Lezhë Pjerin Ndreun, që duhet të ishte sot në burg. Dëgjoje mirë Edi Rama, dëgjoje mirë Pjerin Ndreu, se nuk shkohet në Lezhë, pa kaluar në Kurbin. Rama nuk duhet të jetë askund as në veri, as në jug, derisa të largohet një orë e më parë nga detyra”, tha Basha.

Basha shtoi se Rama sot është pengesë për rrugëtimin europian të vendit.

“Jemi i vetmi vend ku kryeministri del në mbrojtje të Elvis Roshit, përdhunues e trafikant droge, dhe nuk jep dorëheqjen. Jemi sot një vend me kryeministër një njeri që duhet të ishte larguar me qindra herë vetëm për hajdutërinë që i ka bërë Shqipërisë. Vetëm për karrigen e tij refuzon t’i hapë Shqipërisë rrugën e integrimit europian. Ka vetëm një njeri që mban peng hapjen e negociatave.

Edi Rama është njeriu që ka vendosur në pushtet njerëz kundër kurbinasve, kundër rinisë shqiptare, kundër shqiptarëve. Asnjë vend pune nuk do të hapet me këtë kryeministër, nuk zgjidhen problemet e tjera, pa zgjidhur problemin e madh, atë të krimit që ka kapur pushtetin. Nuk ka qetësi pa zgjedhur të gjithë me zgjedhje të lira e të ndershme, pa garantim të standardeve zgjedhore, prandaj kjo është betejë që na bashkon gjithëve kundër kësaj qeverisje kriminale.

Rama dhe oligarkët e kriminelët rreth tij rrinë në pushtet, ndërsa populli shqiptar vuan përditë nga dhunimi i të drejtave. Populli vuan vetëm që të ushqehen këta shushunja e zuzarë, me paratë e qytetarëve shqiptarë të ndershëm. Ora kur një njeri i rrethuar me krim të jetë në krye të qeverisë ka marrë fund kur dogjëm mandatet.”, deklaroi ai.

Lulzim Basha theksoi se Edi Rama do të marrë përgjigjen që meriton nga veriu në jug të vendit.

“Tentativa për t’i dhënë jetë akoma kufomës politike të Rilindjes jam i bindur se do marrë fund, duke nisur nga Kurbini. Rama nuk kalon dot testin e Berlinit sepse nuk kalon dot as testin e Kurbinit. Duhet të largojmë njëherë e mirë Edi Ramën, e duhet që të djathtë e të majtë të bashkohemi drejt një zgjidhje politike, për të kthyer Shqipërinë në demokraci, me vetëm zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh kreu i PD Lulzim Basha.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb