Kryeministri Edi Rama, ka zgjedhur që në episodin e 14 të sezonit të 4 në podkastin “Flasim” të trajtojë temën e shqiptarëve të cilët kanë “braktisur” migrimin dhe janë rikthyer për të jetuar e punuar në Shqipëri.
Tre të ftuari e sotëm ishin Lolita Lumi nga Dukagjini, Aleksandër Çifligu nga Tirana dhe Besniku nga Divjaka, ku secili rrëfeu eksperiencën vetjake në këtë rrugëtim.
Kryeministri Rama u shpreh se momentumi që po përjeton Shqipëria, është pikërisht koha që shqiptarët e diasporës duhet të mendojnë të rikthehen në vendin e
tyre.
“Është koha për ta menduar seriozisht kthimin, por njëkohësisht koha ku shumëkush i kundërvihet me egërsi kësaj ideje. Të tre vijnë nga gjeografi, por edhe rrugë të ndryshme të jetës, por i bashkon ideja e emigrantëve të penduar, sigurisht edhe eksperienca në emigracion ka pasur vlerën e vet, i ka ndihmuar të njohin botën dhe të mësojnë”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te “Paketa e maleve” dhe mundësive që ajo ofron me përjashtimin nga taksat për 10 vite për 500 aplikantët e parë.
“Merrni dhe studioni paketën e maleve, 500 aplikantët e parë për 10 vite nuk kanë as taksa. Unë nuk jam me idenë që dua t’u bëj moral të tjerëve dhe secili bën zgjedhjet e veta, jetojmë në një botë të rë që gjithmonë e më shumë po bëhet më e vogël”, tha ai, ndërsa e mbylli episodin e sotëm më fjalët: Ka ardhur koha të bashkohemi, të gjithë në vendin tonë.
(BalkanWeb)