TIRANE
Si mund t’i imponohesh teatrit si institucion dhe zhanër kur je një i ri i sapodiplomuar, pa përvojë dhe pa mbështetje financiare? Emra të njohur të teatrit që për shumë vite kanë qenë pjesë e skenës së pavarur kanë diskutuar mbi ‘Skenën e pavarur përballë institucioneve- bashkëpunim apo izolim’. Aktorja Ema Andrea foli për nevojën e fashitjes së kulturës së ankesave te të rinjtë.
Regjisori Milto Kutali vuri në dukje lidhjen e domosdoshme të brezave me teatrin, duke e nisur kultivimin e tij që në fëmijëri, jo vetëm si spektator, por edhe me grupe aktorësh të moshave të ndryshme, çka nëse në Europë është kthyer në sistem, në vendin tonë, është më e shumta eksperimentale dhe e pastrukturuar.
Diskutimi u kanalizua në mënyrat se si të rinjtë mund t’i imponohen teatrit. Për drejtorin e Teatrit Kombëtar, Altin Basha, dikur pjesë e skenës së pavarur, risitë e metodat, janë çelësi, ndërsa tha se te të rinjtë vihet re mungesa e vendosmërisë për tu identifikuar në tregun teatror.
Në një linjë ishte dhe aktori Dritan Boriçi, që pasi solli shembullin e Stanislavskit, u përpoq të nxiste të rinjtë të bashkohen në ide për të sjellë risi, mundësisht, risi që do t’ia dilnin të konkurronin, teatrin komercial.
Takimi u mbajt në kuadër të festivalit të teatrit bashkëkohor, ‘Mediums’ që organizohet nga Ema Andrea.