TIRANE- Ministri Edmond Panariti, i shoqëruar nga një delegacion shqiptar i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë dhe eksportues fruta-perime, zhvilluan sot në Pragë një takim me ministrin e Bujqësisë së Republikës Çeke, Marian Jurečka.

Në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe nxitja e shkëmbimeve tregtare.

Ministri Panariti nënvizoi se, Çekia mund të mbështesë në përafrimin e legjislacionit shqiptar me BE, falë eksperiencës së saj në plotësimin e kornizës ligjore, përkatësisht në procesin e negocimit të kapitujve 11 për zhvillimin rural dhe 12 për marrëveshjen fito-sanitare dhe veterinare. Në këtë kuadër, ministrat ranë dakord për organizimin e një work-shopi në Tiranë, në vjeshtë, ku ekspertët e dy ministrive të identifikojnë çështjet të cilat kërkojnë mbështetje dhe ekspertizën çeke.

Ministri Panariti siguroi homologun çek se eksportuesit shqiptarë kanë shprehur interes për të hyrë në tregun çek dhe tashmë janë disa kompani shqiptare, të cilat eksportojnë fruta-perime. Për të nxitur këtë trend, ministri Panariti i kërkoi ministrit Jurečka, të gjejë një mundësi financimi nëpërmjet sistemit bankar çek ose nëpërmjet fondit të garancisë, të mbështesë kompaninë shqiptare në akizicionimin e linjave të prodhimit për përpunimin e fruta-perimeve, për industrinë e qumështit dhe të mishit.

Ministri Jurečka premtoi se, do t’ia adresojë këtë çështje Bankës Tregtare Çeke, për të gjetur instrumentet e duhura financiare për të kredituar investimet e kompanive shqiptare të cilat operojnë në sektorin bujqësor.

Gjatë takimit palët nënvizuan nevojën e rritjes së shkëmbimeve në fushën e kërkimit shkencor midis institucioneve të arsimit, mundësi e organizimit të grupeve të studentëve, të vizitojnë të dyja vendet.
Mbas takimit midis dy ministrave, ministri Panariti dhe delegacioni që e shoqëron, vizituan një shoqatë bujqësore me cikël të mbyllur, e cila zhvillon aktivitetin e saj në fushën e blegtorisë dhe prodhimit të ushqimit për kafshët, në kompaninë prodhuese të traktorëve “Zetor”, markë shumë e njohur në tregun shqiptar dhe në një fabrikë të prodhimit të birrës çeke.

(ed.me/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb