TIRANE- Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi në një deklaratë për mediat ka bërë publik denoncimin e parë nga qytetarët në kuadër të bashkëqeverisjes me ta, që lidhet me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Fier.

Peleshi theksoi se kanë qenë qytetarët ata që kanë denoncuar AKU-në e Fierit për shkelje të ligjit. Mes të tjerash ai u bëri apel partive politike që të jenë pjesë e nismës së qeverisë për sigurinë ushqimore, siç është dhe aksioni për thertoret e mishit. Peleshi kërkoi një pakt kombëtar me partitë politike.

“Jam këtu për të bërë të njohur një rast që ka forcën e një modeli të bashkëqeverisjes me qytetarët. Nisur nga denoncimi qytetar mbi veprimtarinë e AKU-së në qarkun e Fierit kam urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të AKU-së të bëjë verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme. Dje dhe sot pas denoncimit qytetar rezulton se veprimtaria e AKU-së në qarkun e Fierit ka qenë në kundërshtim flagrant me ligjin.
Për rrjedhojë kam urdhëruar marrjen e masave të menjëhershme ndaj personave përgjegjës duke filluar nga drejtori i AKU-së dhe duke vijuar me inspektorët përgjegjës në qarkun e Fierit. Jemi të vendosur t’i japim fund kulturës së fajeve pa fajtorë sidomos në zinxhirin e kontrollit të sigurisë ushqimore. Ndaj gjykova që vlen ta ndaj me publikun këtë qëndrim i cili do të kthehet në një kulturë institucionale për t’i shkuar mbrapsht në gjithë zinxhirin e kontrollit çdo gjetjeje në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore që inspektorët e AKU-së do të realizojnë gjatë veprimtarisë së tyre. Inkurajoj të gjithë qytetarët dhe bizneset të denoncojnë çdo rast të cenimit të sigurisë ushqimore. Siguria ushqimore nuk është një prioritet por domosdoshmëri. Siguria ushqimore nuk ka të bëjë me një qasje politike, nuk ka të bëjë me një qëndrim politik të një partie apo një partie tjetër, nuk ka të bëjë me dy alternativa të ndryshme politike. Siguria ushqimore është një për të gjithë, ka lidhje me jetën, ka lidhje me shëndetin, ka lidhje mbi të gjitha edhe me të ardhmen, me shëndetin e fëmijëve por edhe të gjithë konsumatorëve shqiptarë në Shqipëri. Ndaj nuk do të mirëkuptoja, madje do të apeloja të gjithë forcat politike që në qoftë se deri sot nuk e kanë gjetur dot forcën t’i bashkohen reformave apo programeve tona qeverisëse të paktën në çështjet e sigurisë ushqimore duhet të bëjmë një pakt kombëtar, bipartizan, jopolitik dhe të mos cenojmë dhe të mos ndalojmë një reformë e cila me shpejtësi po jep rezultate të qenësishme. Padyshim kjo reformë ka nevojë edhe për inspektorë të AKU-së dhe gjithë institucioneve të tjera etik, me integritet dhe që ushtrojnë aktivitet në kontroll në zbatim të ligjit. Çdo kontroll që do të konstatojë pas denoncimit qytetar apo veprimtarisë së AKU-së do të konstatojë inspektorë apo aq më keq përgjegjës dhe drejtues që si në rastin e Fierit abuzojnë me ligjin dhe detyrën duke ushtruar një aktivitet që del nga korniza e ligjit do të ndëshkohet.”, tha ai.

Pyetjes nëse ka pasur apo jo abuzime nga inspektorët e AKU-së në Fier, Peleshi iu përgjigj se: “Nuk mund të them. Pasi nuk është detyra ime të konstatoj apo të bëj të njohur nëse ka pasur mitmarrje, kjo i takon organeve të tjera. Ne kemi për detyrë sesa në konform ligjit kanë qenë kontrollet. Unë jam i vendosur që integrimit e inspektorëve ta ngre sa më lartë.”.

Në këtë linjë, për denoncim të çdo rasti abuzimi, ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit u bëri thirrje qytetarëve që mos të dorëzohen përpara askujt që i kërkon ryshfet. Në faqen e tij të ‘Facebook’-ut kreu i qeverisë ka ftuar qytetarët që të jenë pjesë e platformës së koalicionit dhe të shkruajnë për çdo problem në portalin ‘Shqipëria që duam. Al’.

“Mos u dorëzoni përpara askujt që ju kërkon rryshfet! Mos humbisni kohën tuaj duke gjetur “mikun” për të marrë atë që ju takon! Mos u pajtoni me asnjë shkelës dhe mos heshtni përpara asnjë shkeljeje!
Hyni në platformën e koalicionit me qytetarët dhe shkruajini direkt qeverisë suaj. Qeveria është e juaja dhe me ju kundër kujtdo që i bie ndesh të drejtës suaj për t’u shërbyer me dinjitet e për të jetuar në një vend më të pastër në çdo aspekt.
Vetëm së bashku mund ta bëjmë Shqipërinë që duam????Vetëm me ndihmën tuaj mund t’i vëmë përpara ata që abuzojnë me ju dhe me këtë vend që është atdheu ynë i përbashkët✌”, shkruan në mesazhin e tij Rama.
(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: