TIRANË- Deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi, bashkëshortja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta është thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me çështjen Doshi.


Mësohet se Monika Kryemadhi është paraqitur sot rreth orës 19:20 në Prokurori, ndërsa dëshmia e saj ka zgjatur plot 2 orë.


Në përfundim të rrëfimit të saj, deputetja Kryemadhi deklaroi shkurt për mediat se është gati të ballafaqohet me Tom Doshin për të gjitha akuzat e ngritura nga ky i fundit.


“Meqënëse malësori Tom dhe malësori Sali Berisha merren me gra dhe me fëmijë, isha në prokurori për të dhënë të gjitha shpjegimet e mia rreth ngjarjes, dhe jam gati të ballafaqohem me Tomën dhe shokët e tij për çdo problem që ka”, -u shpreh ajo.

Kryemadhi, duke iu referuar akuzave që Doshi i bëri së fundmi babait të Ilir Metës, ironizoi duke i kujtuar se gjyshja e saj ka vdekur, nëse deputeti kishte ndërmend ta implikonte dhe atë.

“Nëse përmenden familjarët, i them Tomës se gjyshja ime ka vdekur nëse ka ndërmend ta impikojë edhe atë në krim”, tha Kryemadhi.

Bashkëshortja e Metës, është thirrur sot pasi emri i saj ka dalë gjatë dëshmisë 6 orëshe të deputetit Tom Doshi, ku ky i fundit ka pretenduar se shtetasi Fatjon Skënderi ka qenë pjesë e shtabit të Monikës në Kombinat.

Kryemadhi ka dëshmuar nëse ka apo jo njohje personale me Fatjon Skënderin, personin të cilin Doshi e akuzon si porositësin e vrasjes. Sipas deputetit, Monika Kryemadhi ka folur disa herë kohët e fundit me të në telefon. Po ashtu deputetja e LSI-së do japë sqarime nëse bashkëshorti i saj ka pasur apo jo lidhje me një komplot për eliminimin e Tom Doshit dhe Mhill Fufit dhe nëse ka ai njohje me Fatjon Skënderin.

Edhe pse emri i saj nuk figuron të jetë përmendur në videon e bërë publike nga Doshi, vetë deputeti e ka përfshirë zonjën Kryemadhi në këtë çështje. Madje sipas tij, një shoqja e saj po dekonspiron procesin e hetimit, duke i raportuar kësaj të fundit gjithçka ndodh aty.

Gazetarja Klodiana Lala shprehet se, një tjetër deputet që pritet të thirret nga Prokuroria është Edi Paloka, i përmendur nga ish-kryeministri Berisha në deklaratën e tij, si personi që e ka informuar për ekzistencën e një komploti me qëllim eliminimin e Doshit dhe Fufit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: