TIRANË- Bashkia e Tiranës ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama, për bllokimin e dhënies me koncesion të kopshtit zoologjik, çka sipas saj ka sjell degradimin e tij. Bashkia pranon situatën e rëndë në kopshtin zoologjik por bën fajtore qeverinë që ka bllokuar projektet dhe ka përgjysmuar fondet.

“Bllokimi me urdhër politik të Edi Ramës i dhënies me koncesion të kopshtit zoologjik në të cilin nuk është investuar prej 20 vitesh po sjell degradimin e tij. Situata në kopshtin zoologjik të Tiranës vazhdon të rëndohet për fat të keq, për shkak të politikave bllokuese që kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë ndaj Bashkisë së Tiranës përmes bllokimit të projekteve, të buxhetit dhe përgjysmimit të fondeve në dispozicion të saj. Pasi nuk ka marrë asnjë masë për 11 vite si kryebashkiak për të ndryshuar situatën në kopshtin zoologjik, me urdhër politik ka bllokuar dhënien me koncesion të tij e cila do të mundësonte krijimin e një kopshti zoologjik modern për qytetin e Tiranës”, thuhet në deklaratën e Bashkisë.

Më tej sqarohet se “që prej muajit tetor të vitit 2014, në Këshillin Bashkiak është çuar për vendimmarrje projekti i dhënies me koncesion i cili vazhdon të mbetet i bllokuar edhe sot, ndërkohë që ka një interes të madh për të”.
“Bllokimi i dhënies me koncesion të kopshtit zoologjik është pjesë e politikës së bllokimit me urdhër te kryeministrit Edi Rama të çdo projekti modernizues që Bashkia e Tiranës ka hartuar dhe është gati të jetësojë për ta shkëputur qytetin nga zhvillimi betonizues dhe për t’i dhënë atij një zhvillim modern dhe evropian”, deklaron Bashkia.

Duke iu referuar rastit fatal ku një kal i kopshtit zoologjik ishte sulmuar nga një dem, pasi ishin vendosur në të njëjtin vend, Bashkia e Tiranës i kërkon dhe njëherë Këshillit Bashkiak të miratojë sa më parë procedurën për dhënien me koncesion të kopshtit zoologjik në mënyrë që të mundësohet ndërtimi i një parku zoologjik në parametra modernë dhe të parandalohet çdo incident dhe degradim i mëtejshëm i tij.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/03/16_projekt-VKB-D-Juridike_21102014.doc” viewer=”microsoft”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb