DROPULL
Bashkia e Dropullit në një mbledhje jashtë radhe ka marrë vendimin për të paguar të gjitha shpenzimet financiare për ceremoninë e varrimit në Bularat të minoritarit grek Kostandinos Kacifa, i cili mbeti i vrarë nga RENEA para 10 ditësh.
Vendimi i bashkisë është bërë i ditur nga nënkryetari i bashkisë Dropull, Mihal Mano. Sipas tij vendimi është marrë me motivacionin se familja është e varfër dhe ngjarja është e ndjeshme për komunitetin e minoritarëve në jug të Shqipërisë.
“Në mbledhjen jashtë radhe të bashkisë së Dropullit të gjithë këshilltarët e bashkisë, njëzëri, si minoritet grek, vendosëm të mbajmë një qëndrim për ngjarjen e ndodhur. Vendosëm që të paguajmë zyrtarisht shpenzimet e varrimit dhe të qëndrojmë në lartësinë e situatës. Mbajtëm një minutë heshtje për Konstandino Kacifas. Do të mbështesim edhe me mikrofonë dhe foni zhvillimin e ceremonisë. Një këngëtar epirot do të jetë pjesë e ceremonisë me një këngë vajtimi”- tha nënkryetari i bashkisë së Dropullit.
Ceremonia e varrimit për Kostandino Kacifas do të bëhet nesër në orën 13:00.
Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi tërheqjen e trupit të 35-vjeçarit nga ambientet e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ndërsa në ceremoninë mortore të minoritarit grek thuhet se do të jenë të pranishëm mbi 2 mijë grekë.
Policia shqiptare ka marrë paraprakisht të gjitha masat dhe do të monitorojë situatën gjatë ceremonisë mortore.
(d.d/BalkanWeb)