Bashkia e Pogradecit dhe Komunat e Strugës dhe Ohrit nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në Wismar të Gjermanisë për të rritur bashkëpunimin në fushën e turizmit, ruajtjen e mjedisit si dhe shfrytëzimin e të gjitha resurseve e vlerave të Liqenit të Ohrit duke marrë për bazë modelin gjerman.


Kryetari i Bashkisë Eduart Kapri, homologu i tij i Komunës së Strugës, z.Ziadin Sela dhe përfaqësues të komunës së Ohrit ishin pjesë e një organizimi të zhvilluar në Wismar nga organizatat Christlicher Hilfsverein Wismar dhe Konrad-Adenauer-foundation. Memorandumi që nënshkruhet për herë të parë do të pasohet nga një marrëveshje më e gjerë bashkëpunimi mes 3 bashkive në muajin mars.


Të 3 bashkitë do të angazhohen për projekte të përbashkëta për të rritur turizmin dhe shkëmbimet mes tyre. Kapri deklaroi se ky memorandum do të ketë modelin gjerman si mbështetje. “Unë shpreh vullnetin që ky proces të finalizohet me sukses duke e parë si një mundësi konkrete për shkëmbime mes 3 bashkive e në veçanti për turizmin”, tha Kapri.


Kryebashkiaku i Pogradecit takoi edhe kryetarin e Bashkisë së Wismarit, z.Thomas Beyer ku diskutuan për bashkëpunime dypalëshe e në veçanti në finalizimin e një binjakëzimi mes dy bashkive. Bashkia e Wismarit është një nga qytetet më të vjetra gjermane që mbrohet nga UNESCO, çka për z.Kapri është një model i shkëlqyer për Pogradecin për ta pasur si model.

Wismari ka pothuaj të njëjtën popullsi sa Pogradeci por me një potencial të madh ekonomik duke pritur me qindra mijëra turistë. Kapri pati mundësi të njihet me industrinë e qytetit si ai i ndërtimit të anijeve por edhe me shërbimet bashkiake të Wismarit. Kryebashkiaku Kapri zhvilloi edhe takime me disa investitorë gjermanë të cilët i ftoi të vizitojnë Pogradecin dhe të nisin projekte investimi veçanërisht në turizëm.

(m.k/BalkanWeb)