TIRANE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në ekspozitën “Të gdhendësh karakter”, e cila mund të vizitohet nga publiku në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në bashkëpunim me CHYBIK + KRISTOF Architects. Në fjalën e tij, Veliaj përmendi faktin se Bashkia e Tiranës do të ndërtojë qendrën më të madhe në Ballkan për fëmijët e spektrit autik dhe me aftësi të veçanta. Ai ftoi të gjitha kompanitë shqiptare dhe të huaja të marrin pjesë në konkursin ndërkombëtar, duke nënvizuar se projekti fitues do të ketë të përfshirë jo vetëm pjesën e arkitekturës, por planin për një ndërtesë që do të lehtësojë pjesën terapeutike.

“Ne kemi bërë një punë fantastike te Piramida, duke e kthyer në një hapësirë që jo vetëm vizitohet nga turistët, por edhe një shkollë ku fëmijët mësojnë mbi teknologjinë dhe punët digjitale. Por, qyteti ka nevojë të ketë edhe një infrastrukturë për ëngjëjt tanë të vegjël, që ndoshta kanë nevojë për një tjetër lloj ndihme. Ndaj, duam të krijojmë qendrën më të madhe të ndihmës për fëmijët e spektrit autik dhe duam që ndërtesa të jetë vërtet një kryevepër, qoftë edhe në shërbimin e terapisë dhe logopedisë. Për këtë projekt do të kemi një konkurs ndërkombëtar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku lajmëroi edhe konkursin për transformimin e “AquaPark”, për të cilin tha se do jetë një zgjatim i Parkut Olimpik, për t’i dhënë formën e një kampusi. “Do të kemi edhe një konkurs tjetër te “AquaPark”, – një hapësirë e cila prej 20 vitesh ishte zaptuar nga privatët, dhe ishte kthyer në një parking të madh makinash – për ta shndërruar në një zgjatim të Parkut Olimpik dhe kampus”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj nënvizoi se sot Tirana është kthyer në një destinacion edhe për të gjitha kompanitë dhe mendjet më brilante të arkitekturës, që kanë bërë një transformim të dijes, edhe për studiot lokale që kanë bashkëpunuar me ta.

Bazuar në monografinë me të njëjtin emër, ekspozita “Të gdhendësh karakter” sjell në jetë temat e ndërlidhura dhe filozofitë e dizajnit, që nga ripërdorimi përshtatës dhe ndërtesat publike inovative deri te zhvillimet e gjera. Ekspozita përmban 14 projekte të përzgjedhura me kujdes. Instalacioni i fton vizitorët të angazhohen me arkitekturën në një mënyrë multisensoriale, duke bashkëvepruar me mostra, modele dhe elemente kyç të dizajnit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: