Të rinjtë që zotërojnë një kartë studenti, do të fitojnë tarifa të reduktuara deri në zero lekë edhe për shërbimet bankare. Marrëveshja e nënshkruar mes Bashkisë së Tiranës dhe përfaqësuesesve të Bankës Credins, është një nga nismat e para e shumë shpejt asaj do t’i bashkohen edhe banka të tjera që operojnë në tregun shqiptar.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se aktualisht mbi 21 mijë studentë janë pajisur me kartën e studentit dhe përdorin shërbime publike të ofruara nga Bashkia e Tiranës apo ente te tjera publike, si dhe shërbime të ofruara nga subjekte private. “Jam shumë entuziast për mënyrën se si ka vijuar shpërndarja e kartës studentore. Diçka që pritëm 30 vjet për ta bërë, por në 3 muaj kemi bërë më shumë se në 30 vjet. Jam i lumtur që 1/3 e studentëve, rreth 21 mijë, tashmë e kanë marrë kartën. Përveç kartës fizike, kanë marrë edhe aplikacionin online, që e bën akoma më të lehtë përdorimin e saj. Madje, disa nga lajmet e gëzuara të kësaj vere kanë qenë shumë studentë që kanë udhëtuar jashtë, të cilët duke treguar kartën e studentit në Greqi, në Itali apo vende të tjera fqinjë, kanë marrë shërbime të reduktuara edhe pse nuk janë studentë të atij vendi”, tha ai.

Veliaj theksoi se me vullnet mund të kapërcehen edhe ato problematika, të cilat janë të mbartura ndër vite. Ai theksoi se deri më tani është mundësuar që në bashkëpunim me entet publike dhe shërbimet private, të ofrohen rreth 170 shërbime me tarifa të reduktuara ose pa pagesë. “Kur ka vullnet dhe dëshirë për të zgjidhur problematika të mbartura ndër vite, ka gjithmonë një rrugëdalje, një mënyrë për t’i bërë gjërat. Ajo që ishte një habi e jashtëzakonshme është se sa shumë është përqafuar karta studentore nga sipërmarrjet dhe kompanitë private në qytetin e Tiranës. Madje, sot kemi mbërritur në një situatë ku kemi 70 shërbime publike dhe rreth 100 shërbime private. Kemi më shumë shërbime private se sa publike, diçka që nuk e kishim menduar, por sa bukur që përfundoi kështu”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku theksoi se krahas përfitimit të tarifave të reduktuara, përmes kartës synohet edhe edukimi i të rinjve me kulturën financiare për të operuar përmes sistemit bankar.

Img 20190920 Wa0008
Img 20190920 Wa0008

Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Bankës Credins, znj.Monika Milo, njoftoi gamën e gjerë të përfitimeve që do të kenë të rinjtë e pajisur me një kartë studentore. “Ndjehemi mjaft mirë që jemi palë me bashkinë dhe sot arritëm të nënshkruajmë e të finalizojmë këtë marrëveshje, për t’u ofruar shërbimet bankare me tarifa të reduktuara për të gjithë studentët të cilët zotërojnë kartën e studentit. Tarifave të reduktuara do t’i nënshtrohet e gjithë gama e produkteve dhe e shërbimeve që ofrojmë në bankën Credins. Një pjesë e shërbimeve do të jenë edhe falas, duke filluar nga çelja e llogarisë bankare, mbajtja mujore e saj, lëshimi i kartës së parapaguar etj”, tha Milo.

Studentët e universiteteve publike të Tiranës prej datës 27 Maj 2019 kanë nisur të pajisen me kartën studentore, falë së cilës përfitojnë shërbime falas ose me kosto të reduktuar. Informacionet e nevojshme në lidhje me shërbimet e reduktuara përmes kartës së studentit janë të aksesueshme në aplikacionin karta studentit dhe faqen kartaestudentit.al. Ndër të tjera, në aplikacion gjendet lëvizjet që ka bërë studenti me kartë, listën e shërbimeve publike dhe private, njoftime për aktivitete të ndryshme rinore, promocione apo gjithçka tjetër ndodh në qytetin tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb