TIRANE – Bashkia e Tiranës njofton se dita e nesërme do të karakterizohet nga reshje të dendura shiu, deri në nivele të atilla saqë mund të shkaktojnë vështirësi në qarkullim dhe bllokimin e disa prej rrugëve problematike të kryeqytetit.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës bën të ditur se ka marrë të gjitha masat për të ulur numrin e problematikave që mund të shfaqen gjatë ditës së nesërme.

Ndërmarrjet e rrugëve, pastrimit, kanalizimeve, ndriçimit, Policia Bashkiake, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Zjarrfikëset, kanë ngritur grupe të posaçme pune dhe do të jenë në terren, në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë ditës, së bashku me administratorët e 24 njësive administrative.

Bashkia e Tiranës këshillon qytetarët e saj që të minimizojnë lëvizjet tyre ditën e nesërme, për të shmangur trafikun e rënduar që mund të krijohet për shkak të reshjeve, si dhe bllokimin e rrugëve. Për të lehtësuar transportin e qytetarëve, Bashkia e Tiranës u ka kërkuar linjave të transportit publik që të shtojnë numrin e autobusëve në qarkullim.

Bashkia e Tiranës ka evidentuar se rrugët më problematike dhe me mundësi më të lartë për t’u bllokuar janë:
Rr. Siri Kodra (segmenti te Frigoriferi)
Rr. Don Bosko
Rr. e Kavajës
Rr. Imer Ndregjoni
Rr. Bardhyl (segmenti ku kryqëzohet me rr. ‘Qemal Stafa’)
Unaza (segmenti ‘Vasil Shanto’ – ‘21 Dhjetori’)
Rr. Myslym Shyri
Rr. e Dibrës

Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin kalimin pranë lumenjve në zonat periferike të Tiranës. Në raste emergjencash, ju lutemi të kontaktoni Bashkinë e Tiranës në numrin 0800 0888 (nga numrat fiks), Policinë Bashkiake në numrin 04 24 19 465, Zjarrfikëset në numrin 129 ose administratorin e njësisë tuaj administrative.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb