TIRANË- Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit pilot për përmirësimin e ndriçimit rrugor në trajektoren sheshi “Shqiponja” – Rruga e Durrësit – sheshi “Skënderbej” – bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – sheshi “Nënë Tereza”. Projekti pilot i cili përfundon javën e ardhshme parashikon zëvendësimin e 780 ndriçuesve ekzistues me ndriçues xenon dhe të gjitha pajisjet përkatëse.

Sipas Bashkisë, zbatimi i këtij projekti për vendosjen e 780 ndriçuesve përmirëson me 50% fluksin e ndriçimit rrugor dhe redukton me 60% koston e përdorimit të energjisë elektrike, krahasuar me ndriçimin ekzistues.

Jetëgjatësia e ndriçuesve të rinj është 40 mijë orë pune ose dy herë më e lartë se e ndriçuesve aktualë. Këta ndriçues kanë 90% të spektrit të dritës, nga 38% që është aktualisht, çka ndikon ndjeshëm në rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve rrugore.

Ky projekt është pjesë e strategjisë afatgjatë të Bashkisë së Tiranës të miratuar në Këshillin Bashkiak në dhjetor 2014 për zëvendësimin e ndriçuesve brenda qytetit të Tiranës me ndriçues të teknologjisë së lartë që reduktojnë ndjeshëm koston e përdorimit të energjisë elektrike dhe kanë fuqi ndriçuese dhe jetëgjatësi më të madhe se ndriçuesit e zakonshëm. Në përfundim të projektit kostoja e energjisë që i faturohet qytetit të Tiranës nga ndriçimi publik do të ulet me 60% ose afro 1 milionë dollarë në vit, ndërkohë që cilësia e ndriçimit rritet me afro 50%.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: