TIRANE- Nga 1 janari 2017, Bashkia e Tiranës do të lehtësojë edhe më tej procedurat tatimore për 50 mijë bizneset që veprojnë në kryeqytet dhe njëkohësisht do të shkurtojë edhe afatet. Gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik, Kryebashkiaku Veliaj prezantoi disa nga masat lehtësuese.


Ai theksoi se Tirana do të jetë një qytet i hapur për biznesin, dhe kjo është treguar edhe me vendimin e marrë pak kohë më parë për përjashtimin nga detyrimi për pagimin e taksave vendore për 3 muajt e parë nga bizneset e reja. Kreu i Bashkisë u shpreh se viti 2017 do të shënojë një rritje të buxhetit, kjo falë mirëadministrimit të të ardhurave pa rritur asnjë taksë.


“Buxheti i ardhshëm do të jetë edhe më ambicioz. Kemi parashikuar që të rrisim me 10 për qind buxhetin. Në 100 kantiere sot, janë 10 mijë persona të punësuar. Besoj se edhe bashkia ka një rol aktiv. Ne do të shkojmë duke mos propozuar asnjë rritje taksash apo rritje tarife për biznesin dhe për familjarët. Do të shkojmë me rritje të buxhetit thjesht duke rritur bazën, duke shpresuar që menaxhiimi i mirë do të na çojë në një qytet më të suksesshëm”, tha ai.


Më tej, Kryebashkiaku Veliaj sqaroi një për një lehtësitë për biznesin për vitin 2017, të cilat priten që t’i japin një tjetër ritëm rritjes ekonomike. Bashkia e Tiranës pritet që t’u japë përgjigje pozitive gjashtë kërkesave të bizneseve, siç është lehtësimi i procedurave dhe shkurtimi i afatit për procedurën për pajisje me vërtetim për likujdim detyrimesh, procedurën e kërkesë/ankesë on-line. Lehtësi do të ketë edhe për procedurën e verfikimit në terren, për procedurën e trajtimin të kërkesë-ankesave në aspektin juridik të bizneseve si dhe për procedurën për rimbursimin e shumës së paguar tepër në llogari bankare. Për të përmirësuar klimën e biznesit, Bashkia e Tiranës do të lehtësojë edhe procedurën e regjistrimit të një biznesi të ri pranë DPTTV-së, duke përgjysmuar paralelisht edhe afatet e regjistrimit.
(ed.me/BalkanWeb)

Etiketa: