Andon Meta, një qytetar nga Kurbini është futur në grevë urie në hyrje të Prokurorisë së Lezhës, me pretendimin se në pronën e tij Bashkia e Kurbinit ka hedhur inertet e objekteve të shembura nga tërmeti i nëntorit 2019, duke i zaptuar rreth 11 dynymë tokë.
Prej mëngjesit të së martës Andon Meta bllokoi hyrjen e këtij institucioni, pasi sipas tij nuk po zbatohet vendimi i gjykatës, e cila ka kërkuar hetimin e kryebashkiakes së Kurbinit Majlinda Cara dhe disa zyrtareve të Kadastrës.
Sipas tij Prokuroria e Lezhës po zvarrit hetimet që prej muajit prill të vitit 2023.
Në lidhje me pretendimet e qytetarit, Prokuroria e Lezhës bën me dije se procedimi penal nisi në SPAK, por ky institucion shpalli moskompetencën me arsyetimin se nuk ka element të vepres penale të “Shpërdorimit të Detyres” dhe çështja i kaloi sërish për hetim prokurorisë lokale. Por dhe kjo e fundit nuk gjeti element të vepres penale dhe e dërgoi çështjen për pushim në gjykate. Kërkesa nuk u pranua nga gjyqtari Aldi Kareco, i cili e ktheu çështjen për veprime shtesë dhe nga ana e prokurorisë po vijojnë hetimet. Nga ana tjeter, Bashkia e Kurbinit pretendon se është vepruar konform rregullave në pronen ku janë hedhur inertet e tërmetit.
(BalkanWeb)