KAMEZ – Bashkia Kamëz dhe fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” kanë organizuar sot një veprimtari me rastin e festeve të fundvitit, kushtuar nxënësve jetimë të qytetit Kamëz, në të cilën janë dhënë edhe dhurata dhe ndihmë financiare për këta fëmijë.

Kryebashkiaku Xhelal Mziu dhe presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Liri Berisha, e pranishme në këtë veprimtari, kanë shpërndarë personalisht dhuratat dhe kontributet financiare për rreth 500 nxënës jetimë të Kamzës. Zonja Berisha dhe fondacioni që ajo drejton, kishin përgatitur dhuratat për nxënësit jetimë. Gjithashtu, Bashkia Kamëz ka dhënë një kontribut financiar, shoqëruar me një kartolinë urimi, ku u uron Gëzuar Festat e Fundvitit nxënësve jetimë.

Ndërkaq, edhe shoqata humanitare “Mission Possible Albania”, në kuadër të bashkëpunimit me Bashkinë Kamëz, kishte përgatitur disa dhurata në këtë prag festash pikërisht për nxënësit jetimë të Kamzës.

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, në fjalën e tij tha: “Gjej rastin për të përshëndetur përzemërsisht të gjithë nxënësit jetimë dhe dua t’i falënderoj përzemërsisht për praninë në këtë aktivitet në nder të tyre! Dua të përshëndes zonjën Liri Berisha si e pranishme në këtë aktivitet dhe si një promotore e mbështetjes së familjeve në nevojë, e fëmijëve jetimë dhe fëmijëve autikë në gjithë Shqipërinë, por veçanërisht për qytetin e Kamzës. Ashtu si edhe vitet e tjera, kemi bërë aktivitete të tilla. Ju garantoj se Bashkia Kamëz do të jetë pranë jush jo vetëm me dhënien e kësaj ndihme financiare me rastin e mbylljes së vitit, por do të jetë pranë jush edhe me ndihma të tjera në mbështetje të familjeve tuaja, për të treguar që ju nuk jeni vetëm, jeni bashkë me Bashkinë, jeni bashkë me të tjerë partnerë të qytetit tonë”, – tha ne fjalën e tij Mziu.

Presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Liri Berisha në këtë aktivitet në fjalën e saj theksoi: “Ju përshëndes të gjithëve dhe kam shumë kënaqësi që siparin e këtyre festave të bukura unë e nis me ju, në qytetin tuaj! Festat gjithmonë janë shumë të bukura, por festat e fundvitit kanë tjetër natyrë, janë më të hareshme, janë më të ndriçuara. Sot, fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” bashkë me Bashkinë e Kamzës kanë dashur që këto festa t’i pasurojnë më tepër me programin artistik, me ndriçimin, me dhurata të shumta, duke dashur që t’ju uroj juve, fëmijë të dashur dhe familjeve tuaja një vit të ri sa më të shëndetshëm, të gëzuar dhe të begatë! Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” është gjithmonë pranë problemeve të fëmijëve në nevojë, duke dashur të zgjidhë apo të zbutë disa probleme që këta fëmijë kanë. Do të doja që viti 2015 të jetë një vit i gëzueshëm, një vit me sa më shumë suksese dhe do të doja që ky fondacion në vitin 2015 të jetë pranë jush vetëm në festa e gëzime! Unë edhe një herë ju uroj të gjithë fëmijëve gëzuar festat! Qofshi përherë të rrethuar nga dashuria e prindërve tuaj dhe e njerëzve që keni pranë!”

Dr. Liri Berisha u shpall nga Bashkia Kamëz “Personaliteti i Vitit”
Presidentja e fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, dr. Liri Berisha, u shpall nga Bashkia Kamëz “Personaliteti i Vitit” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në ndihmën dhe përkrahjen e fëmijëve jetimë e autikë, si dhe shtresave të tjera në nevojë të qytetit të Kamzës, duke kontribuar për një të ardhme më të mirë të tyre”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: