Si pasojë e tërmetit të fundit të regjistruar në Shqipëri, Kavaja u rendit ndër qytetet ku banorët e saj nuk i shpëtuan dot lëkundjeve, e për rrjedhojë edhe dëmet e shkaktuara sidomos në prishjen e banesave, ishin të konsiderueshme. Vetëm në Njësinë Administrative Helmas të Kavajës janë 40 shtëpi që kanë pësuar dëmtime në strukturë, shembje çatie dhe plasaritje të mureve.


Nga Instituti i Ndërtimit, janë shpallur si të pabanueshme 4 shtëpi nga kjo zonë ndërkohë që po shikohet mundësia për të ndërhyrë në ato banesa që kanë dëmtime të pjesshme. Për t’ju gjendur pranë familjeve të prekura nga tërmeti Bashkia e Kavajës ka dhuruar disa herë ndihma për familjet me kushte më të vështira.


Këtë herë Bashkia e Kavajës është gjendur pranë familjeve në Helmas dhe falë bashkëpunimit me donatorët, ka mundësuar projektin e ndihmave në ushqime, shtretër e batanije, për atë pjesë të familjeve që kanë shfaqur nevojë për ndihmë. Ervin Kalaja, Administratori i Njësisë Helmas thotë se këto ndihma janë vetëm një pjesë e vogël e projektit të Bashkisë për familjet e prekura nga tërmeti.


Familjarët e prekur nga tërmeti vlerësojnë përpjekjen e institucioneve për ti ndihmuar por shprehen se pasojat e tërmetit kanë qenë të mëdha dhe kanë nevoja të shumta ku disa prej tyre janë emergjente dhe duhet të plotësohen sa më shpejt.

Tërmeti i cili tronditi vendin më 21 tetor ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në Kavajë, ku rreth 30 banesa u kthyen në të pabanueshme dhe dhjetëra të tjera pësuan dëmtime të ndryshme.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: