LIBRAZHD – Shkatërrimi i pritës në pjesën perëndimore të qytetit të Librazhdit ka bërë që lumi Shkumbin të zgjerojë shtratin e tij. Për të disatën herë në këtë zonë, janë përmbytur dhjetëra shtëpi dhe biznese. Rrjedha e lumit Shkumbin është kthyer në kërcënim serioz për zonën industriale të qytetit dhe jo vetëm.


Bashkia e Librazhdit i kërkon Ministrisë së Bujqësisë të financojë, sa më shpejt që të jetë e mundur, projektin për ndërtimin e argjinaturës së Shkumbinit, në zonën përgjatë qytetit të Librazhdit.


“Eshtë një situatë e përsëritur. Kemi bërë projektin gati, e kemi dorëzuar tek Ministria e Bujqësisë dhe presim që ky projekt të financohet sa më parë. Sa më vonë të financohet projekti, aq më shumë shtohet rrezikshmëria për të nxjerrë jashtë përdorimit edhe rrugën që është pjesë e rrugës nacionale, por nga ana tjetër dhe fushën e sportit. Ndërhyrja duhet të jetë sa më emergjente. Me atë që i kemi bërë natyrës këto 25 vjet, po marrim kusurin mbrapsht.” – deklaroi Kastriot Gurra, kryetar i Bashkisë Librazhd.


Deputeti socialist, Taulant Balla ka mbështetur kërkesën, e cila kërkon një ndërhyrje urgjente në këtë zonë, duke thënë se neglizhenca vit pas viti ka çuar në këtë gjendje, por tashmë gjendja paraqitet emergjente.

“Eshtë e rëndësishme që projekti që është depozituar nga ana e Bashkisë Librazhd, në Ministrinë e Bujqësisë, të ndiqet sa më shpejt dhe të financohet. Nëse dje reshjet do të kishin vazhduar dhe Shkumbini do të vazhdonte me atë prurje, që arriti në nivele historike, kjo pjesë do të ishte shembur dhe banesat që janë në pjesën tjetër të qytetit të Librazhdit, nuk do të ekzistonin më.’- deklaroi Taulant Balla, deputet PS, Librazhd.

Gjatë vitit të kaluar në këtë zonë të Librazhdit u evakuuan disa familje, pasi lumi rrezikoi banesat e tyre. Një ndërhyrje e Bashkisë Librazhd i dha një zgjidhje provizore këtij problemi, por tashmë nevojitet ndërtimi i një dige, që t’i japë një zgjidhje përfundimtare.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb