Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorjan Teliti, ka reaguar sërish mbi situatën e tensionuar brenda bashkisë, duke e cilësuar atë një krizë alarmante të shkaktuar nga lufta për pushtet mes dy grupimeve politike.
Sipas Telitit, konflikti mes mbështetësve të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe atyre të kryeministrit Edi Rama ka bllokuar funksionimin e administratës, duke krijuar kaos dhe pasiguri. Ai thekson se stafi civil është kthyer në peng të interesave politike, ndërsa frika ka zëvendësuar ligjin, duke e lënë institucionin në një gjendje kolapsi.
Teliti e konsideron këtë përplasje jo thjesht një konflikt politik, por një shkelje të rëndë të shtetit ligjor, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët. Për këtë arsye, ai ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak, për të adresuar situatën dhe për të kërkuar përgjegjësi nga ata që, sipas tij, po shpërdorojnë besimin e qytetarëve.