TIRANE– Bashkia e Tiranës ka reaguar pas protestës së FRESSH, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka nxjerrë nëpunënësit e administratës për të kërkuar fusha. Përfaqësuesit e Bashkisë bënë përgjegjës për mungesën e ambienteve publike, ish-kreun e saj Ramën, që sipas tyre betonizoi 65 mijë metra katrorë lulishte.

“Kryeministri dhe ish-kryebashkiaku Rama nuk mund të mbulojë dështimin e tij me sulme politike ndaj Bashkisë. Ish-kryebashkiaku Rama iu rikthye të vetmes dajre të vjetër që di t’i bjerë, të akuzojë gjithkënd për paaftësinë e tij. Njeriu që për 11 vjet betonizoi Tiranën nxori sot nëpunësit e administratës për të kërkuar fusha. Nëse zoti Rama nuk do të betonizonte mbi 65 mijë metra katrorë lulishte në zemër të Tiranës vetëm në 4 vitet e tij të fundit si kryebashkiak do të kishte hapësira të shumta për pushim dhe argëtim për qytetarët e Tiranës”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.

Më tej, Bashkia tha se nëse “Rama nuk do t’i bllokonte paligjshmërisht për 7 muaj buxhetin, derisa u zhbllokua me vendim gjykate, dhjetëra blloqe banimi do rehabilitoheshin duke u kthyer qytetarëve ambiente çlodhëse dhe argëtimi në lagjet e tyre”.

“Nëse zoti Rama nuk do të bllokonte paligjshmërisht projektin e Bulevardit të ri, Tirana do kishte 7 parqe dhe mbi 300 mijë metra katrorë gjelbërim për kryeqytetasit dhe gjithë vizitorët e saj. Nga bllokimi i terminalit dhe i tramit u ka hequr mundësinë qytetarëve të Tiranës të kenë trafik të lehtësuar dhe 9 ton dioksid karboni më pak çdo ditë”, kanë deklaruar burime të Bashkisë.

Sipas tyre, kryeministri Rama po tenton të mbulojë dështimin e tij me sulme politike ndaj Bashkisë së Tiranës. “Edi Rama ka dëshmuar jo vetëm për Tiranën po për gjithë Shqipërinë se di vetëm të bllokojë, shkatërrojë dhe varfërojë qytetarët duke rritur taksat, çmimet dhe papunësinë. Dështimin e tij kryeministri Edi Rama nuk mund ta mbulojë me sulme politike ndaj Bashkisë së Tiranës”, përfundon deklarata e Bashkisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb