Nga CENS-23 rezultoi se, në fund të shtatorit të vjetshëm, Shqipëria kishte pothuaj 2 milionë banorë të rritur (18 vjeç e sipër). Nga një sondazh rigoroz në gjithë territorin e vendit, që drejtova vjet në vjeshtë, më rezultoi pothuaj e njëjta shifër (që e kam publikuar sa herë kam bërë ekstrapolime të përafërta të preferencave të zgjedhësve të këtushëm gjatë 10 muajve të fundit).

Nga CENS-23 rezultoi se, në fund të shtatorit të vjetshëm, Bashkia Tiranë kishte pothuaj 480 mijë banorë të rritur (18 vjeç e sipër). Nga një sondazh rigoroz në gjithë territorin e Bashkisë Tiranë, që drejtova në vjeshtën e 2022, më rezultoi shifra 580 mijë banorë të rritur (18 vjeç e sipër). Pra, 100 mijë më shumë se sa rezultoi nga CENS-23.

Meqënëse metodologjia ka qenë e njëjtë si në nivel kombëtar edhe atë lokal, diçka kërcet statistikisht…

Kështu, në sondazhin tim pothuaj 10% e të anketuarve banonin në Tiranë, por ishin të regjistruar në Gjendjet Civile të bashkive të tjera. Ka gjasa që familjet e tyre t’i kenë raportuar si banues në bashkitë e origjinës, kur u kanë shkuar anketuesit e Censit atje.

Të shumtë janë edhe studentët nga rrethet, që banojnë rregullisht në Tiranë, por që mund të jenë regjistruar në CENS-23 si banues në familjet e tyre në rrethe.

Gjithashtu, si dikush i lindur e i thinjur në kryeqytet, di shumë raste kur prindërit tiranas vizitojnë fëmijët e tyre në emigracion me intervale të gjata. Ka gjasa që anketuasit e Censit të mos i kenë regjistruar dot këta prindër në Tiranë, ngaqë shtëpia e tyre ka qenë e mbyllur me muaj. Nëpër rrethe, informacionin në raste të tilla mund ta japin fare kollaj fqinjët…

Se sa banorë të rritur (18 vjeç e sipër) ka saktësisht Tirana është vështirë të përcaktohet, por gjasat janë që ka më shumë se sa 480 mijët që regjistroi CENS-23…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: