NGA MARIGLEN MËRTIRI*
Rikthehen kioskat në rrugët e Tiranës por ndryshe nga zaptimet e privatëve dikur, këtë herë vendosen nga vete Bashkia e Tiranës. Disa prej tyre kanë zënë vend në zonat kryesore dhe më të populluara të Tiranës ndërsa disa kanë filluar të hapin qepenat dhe të ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve duke shitur produkte utilitare.
Nën logon e Tirana parking dhe asaj të Bashkisë së Tiranës këto kioska pritet të shtohen, por nga një interesim pranë Bashkisë së Tiranës askush nuk jep informacion nëse administrohen nga Bashkia apo u jepen me qira të tretëve dhe mbi ç’baza përcaktohet vendndodhjet e tyre.
Bashkia nuk jep informacione nëse në këto kioska do të shpërndahet edhe shtypi i shkruar që sot shihet nëpër stenda ambulantesh. Para 15 vjetësh botuesit e shtypit kanë paraqitur një projekt për shpërndarjen e shtypit në kioska, në një sipërmarrje të përbashkët. Ndoshta këto kioska mund të shërbenin për ta zbatuar atë projekt, por me pronare bashkinë e Tiranës.
Gjithsesi Bashkia nuk ka dhënë ende asnjë informacion as qytetarëve apo bizneseve që po familjarizohen me objektet e vendosura para biznesit të tyre. Gjithçka që mund të thonë është se kanë parë që montimi është bërë nga makinat e Bashkisë së Tiranës.
Prej disa ditësh në rrugët kryesore të Tiranës Bashkia po vendos kioska nën logon e “Eco Parking”. Nuk jepet asnjë informacion nga ky institucion se për çfarë do të shërbejnë dhe si u jepen me qira palëve të treta këto kabina. Ndërsa nga vendndodhja e tyre duket se funksioni do të jetë për vendosjen në jetë të parkimit me pagesë.
(m.k/BalkanWeb)
