Bashkimi Europian dhe Turqia vendosën sot të rinisin dialogun politik pas katër vite ndërprerje, megjithëse ka ende kontadikta të cilat bllokojnë negociatat e anëtarësimit dhe liberalizimin e vizave, bënë të ditur zyrtarët europianë.


Rinisja e dialogut u bë e mundur me rastin e një takimi të Këshillit të Asocimit BE-Turqi në Bruksel, shkruan atsh. Ankaraja u përfaqësua nga shefi i diplomacisë turke, Mevlut Cavisoglu, ndërsa institucionet europiane nga Federica Mogherini, shefja e diplomacisë europiane dhe nga Johannes Hahn, komisioneri europian për Zgjerimin.


‘’Turqia kërkon të ecë në rrugën e anëtarësimit, me shpresën për të siguruar të drejtën e liberalizimit të vizave për shtetasit e saj dhe kërkon nga shtetet anëtare heqjen e pengesave në zgjerimin e Bashkimit Doganor’’, pohoi Cavisoglu gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.


Ministri turk rikujtoi se katër kapitujt duhet të diskutohen ende në kuadër të negociatave për anëtarësim dhe shfaqi vullnetin e qeverisë turke për kryerjen e reformave të nevojshme.

BalkanWeb

Etiketa: