Pasaportat e reja në Britani po lëshohen pa “Bashkimin Evropian” në kopertinë, përkundër vonesës për marrëveshjen e daljes nga BE-ja, që ishte planifikuar të ndodhte në fund të muajit mars.
Pasaportat e reja u shfaqën nga 30 marsi, një ditë pasi Britania planifikohej të largohej nga blloku.

Pasaportat ngjyrë kaltër, pritet të lëshohen nga fundi i vitit. Susan Hindle Barone, që ka pranuar pasaportën e saj të re të premten, tha për agjencinë e lajmeve AP se dizajni i pasaportës, sipas saj, nuk duhet të ndryshojë derisa Britania është ende pjesë e BE-së.

Ndryshimi i dizajnit të pasaportave britanike ka ardhur pas pritjeve se largimi nga BE-ja do të ndodhë siç ishte planifikuar. Një zyrtare e Ministrisë së Brendshme, deklaroi se pasaportat me mbishkrimin “Bashkimi Evropian” do të vazhdojnë të lëshohen edhe për një periudhe të shkurtë.

Kryeministrja britanike, Theresa May i ka kërkuar Bashkimit Evropian shtyrje të datës për Brexit deri më 30 qershor. Aktualisht Britania pritet të largohet nga BE-ja më 12 prill, ndonëse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje në Britani për këtë çështje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb