Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi i shoqëruar nga kryetari i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj dhe anëtarë të PDIU-së priti në selinë e partisë në një takim të përzemërt Shoqatën Patriotike “Çamëria”, dega Kosovë.
Në fjalën e tij kreu i PDIU-së, Idrizi theksoi se bashkëpunimi i Shoqatës Patriotike “Çamëria” Kosovë tashmë prej shumë vitesh e ka mbajtur gjallë, jo vetëm bashkëpunimin me shoqatën Patriotike “Çamëria në Shqipëri, por e ka mbajtur gjallë edhe çështjen e shqiptarëve të Çamërisë në Kosovë, si dhe ka qenë në krah të PDIU-së dhe programit të saj edhe në këtë kohë zgjedhore.
“Sa herë që shkoj në Kosovë më vjen natyrshëm dhe them që, në Kosovë ka më shumë Çamëri edhe sesa në Shqipëri. Mjafton t’iu kujtoj që njoh 30 vajza e gra që e kanë emrin Çamëria, krahas atyre, Vlora,Saranda, Arta. Ne besojmë fort që sot ne duhet ta shohim si një oportunitet të madh dhe të kemi një platformë të qartë që, të ulen flamujt e partive, flamujt ideologjikë dhe të kemi mundësi që ne të ndërtojmë ura bashkëpunimi, në mënyrë që të dy vendet tona të jenë të zhvilluara, të prosperojnë, të ruajmë bashkë dhe të fortë atë që është pasuria më e madhe jona, identitentin kombëtar, gjuhën, kulturën, traditën, atë përkatësi që na jep identitet.

Bashkimi kombëtar jo vetëm që është një prerogativë e shkruar në kushtetutën e Shqipërisë si aspiratë, por besoj sot edhe në kushtet që jetojmë është një domosdoshmëri. Ka të bëjë me atë që ne e kemi quajtur prej kohësh komunuelthi ekonomik I shqiptarëve. Pra të krijojmë një sinergji që të dy vendet tona të kenë ekonomi komplementare. Kanë nevojë që të kenë të njëjtën qasje dhe të kemi të njëjtën platformë kombëtare. Pra çfarë ndodh në Kosovë i ndodh automatikisht Shqipërisë dhe anasjelltas. Mund të kemi dy shtete, por ne jemi të detyruar që të kemi p.sh. një politikë të jashtme, s’mund të ketë Shqipëria dhe Kosova dy politika të jashtme, apo të kemi të njëjtën politikë mbrojtjeje. Ne jemi dy shtete por duhet të kemi një ministër shteti që koordinon.

Serbia vazhdon të jetë agresive me Kosovën. Greqia që e kemi gjiton-mik vazhdon të mbajë një Ligj Lufte dhe u desh PDIU-ja pas 84-vjetësh, që parlamenti shqiptar të mbajë qëndrim edhe t’i kërkojë parlamentit të Greqisë që të heqi Ligjin e Luftës, që ato e thonë vetë që është një marrëzi historike”. – tha ndër të tjera ai.
Në këtë takim Kreu i PDIU-së, Idrizi nuk la pa përmendur çmendurinë e komenteve në rrjetet sociale, pas shuplakës që një konkurent shqiptar në BBVA i dha konkurentit nga Kosova, Gjesti. Ai u shpreh me tone sarkazme se mendoi që delegacioni mund edhe ta kishte anuluar vizitën pas çmendurisë së rrjetit social, ku idiotët e dobishëm me plot gojën të Athinës dhe edhe të Beogradit, gjejnë edhe sebepin më të vogël që ne të fillojmë të nxisim diferencat midis nesh. “Vetëm ne mund të hymë në këtë idiotësi kaq kollaj të rrezikshme, sepse ato që na bashkojnë Shqipërinë dhe Kosovën jo janë të mëdha, por janë gjithshka”, tha Idrizi.

Ndërsa kryetari i Shoqatës Patriotike dega Kosovë, Besim Dinolli u shpreh se kjo vizitë ishte një mbështetje e hapur për kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe kryetarin e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, Liljan Idrizaj për zgjedhjet e 11 majit.
(BalkanWeb)