KORÇË

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët në Korçë, ku ka dëgjuar problemet e tyre dhe i është përgjigjur shqetësimeve. Por ndërsa një qytetare ka folur për gjendjen e rëndë të stadiumit, Rama tha se së shpejti do nisë ndërtimi i stadiumit të Kukësit por do të shihet dhe ai i Korçës, duke hedhur një batutë me deputeten e Korçës Elisa Spiropali.

Qytetarja: Meqë jemi në ambientet e sportit të këtij qytetit të bukur dhe kërkesa ime ka lidhje me sportin. Si nënë e dy fëmijëve që merren me sport do të bëj dhe një kërkesë shumë të fortë për të cilën dua dhe një përgjigje pozitive. Ky qytet kaq i bukur nuk e meriton të ketë atë stadium të vjetër. Në emër të qytetarëve të Korçës kërkoj një përgjigjëe pozitive nga ju që Korça më shumë se kushdo e meriton atë stadium të bëhet sepse ekipi ynë Skënderbeu është një ekip që na nderoi jo vetëm ne si qytet por të gjithë shqiptarët. Nëse përgjigjja juaj është pozitive që unë se vë në dyshim, ju nuk do jeni kryeministri më i mirë i këtij qyteti por do jeni njeriu që do qëndroni në kujtesën e këtij qyteti si njeriu që i dha stadiumin.

Rama: Tani me këtë që the në fund që nuk e vë në dyshim përgjigjen time ça të them unë tani. Por kur kërkoi fjalën zonja, diçka më tha pamja por s’më kujtoi pastaj më sqaroi Nikoja se zonja ka qenë në krye të protestës kundër pedonales dhe tani është bërë mbështetësja më e flaktë e pedonales. Ky është protestuesi që duam ne. Protestues që na sfidojnë siç ka qenë rasti i zonjës apo siç qe rasti me studentët, protestues që na bëjnë të nxjerrim më shumë nga vetja.

Do fillojmë ndërtimin e stadiumit të Kukësit tani, kështu që përveç Elbasanit, Shkodrës, Tiranës po nisim dhe Kukësin. Por duke pasur Elisën deputete, që Elisa ka një dobësi të veçantë për Skënderbeun, ka mundësi që radhën pas Kukësit ta ketë Skënderbeu. Përtej shakasë kjo në fakt lidhet edhe me planin këtu. Në qoftë se e keni parë planin këtu që është realizuar në pjesën më të madhe.

Plani ka edhe një hotel në zonën midis fushave dhe stadiumit që ne duam, shpresojmë, urojmë dhe do bëjmë çmos që të jetë shembull për turizmin e nivelit të lartë, një hotel me 5 yje me të gjithë aksesorët dhe plani ka dhe rindërtimin e stadiumit. Kështu që besoj që Korça e meriton nuk diskutohet por edhe zona vetë është e planifikuar e tillë dhe nuk mundet dot që në gjithë këtë transformim dhe në gjithë këtë modernizim të gjithë kësaj pjese ne të lëmë akoma për një kohë të gjatë stadiumin në atë gjendje që është dhe që është qesharake. Kështu që me siguri që ne do të investohemi shumë seriozisht për ta rindërtuar stadiumin dhe për ta bërë një stadium model të standardeve të shijes që është vendosur në çdo ndërtim që bëhet këtu në Korçë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb