SHKODER – Takimi mes Partizanit dhe Vllaznisë u zhvillua në kushte jo të mira, madje pak minuta para se të niste ndeshja pati edhe reshje breshri. Gjithsesi, kjo nuk u bë pengesë që në stadium të ishin rreth 3-4 mijë tifozë nga të dyja kampet.

Në këtë takim nuk munguan edhe batutat e tifozëve shkodranë. Njëra prej tyre kishte të bënte me aludimet rreth një lidhjeje të mbrojtësit të Partizanit, Ardian ÇuçulI, me prezantuesin Marina Vjollca, që njihet si përkrahëse e Vllaznisë. “Çuçul, mos na e ngacmo Marinën se është tifozja jonë”, kjo ishte batuta e tifozëve shkodranë ndaj mbrojtësit.

Ajo që mbetet të vlerësohet nga takimi i djeshëm ishte sjella e dy tifozerive në fund të sfidës. Tifozët shkodranë të pranishëm në tribunën qendrore duartrokitën dhe përshëndetën ish-trajnerin e tyre Shpëtim Duro. Të njëjtën gjë bënë edhe tifozët e kuq, që e pranuan humbjen, pasi miqtë ishin më lart dhe në fund duartrokitën autorin e golit, Arsid Tafili, kur po kalonte para tribunës së tyre. Në momente të ndryshme të ndeshjes nuk munguan ofendimet e dy tifozerive ndaj gjyqtarëve të ndeshjes.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: