Më poshtë vijon përmbledhja e disa prej batutave apo deklaratave më interesante të javës së fundit për ekipet e Superiores.

Agustin Kola, ish-futbollist: “Hajde se po marr edhe unë kazmën e lopatën, të kujtojmë edhe ne vitet e aksioneve. Partizani duhet të luajë në ‘Selman Stërmasi’. Inat i kemi, por vetëm në fushë”.

Mirel Josa, trajner i Tiranës: “Goli që pësuam në Laç ishte një rast si t’ia lëmë njëri-tjetrit” (kritika për katër lojtarët që nuk ditën të markonin ganezin Mensah).

Tifozët e Partizanit: “Në stadium plasi gallata, ne me futboll, ju me lopata…” (ironia e ultrasve të kuq me tifozët e Tiranës).

Tifozët e Vllaznisë: “Ç’është gjithë ky respekt për ne mor! Ta gëzoni stadiumin!” (ironia e shkodranëve për praninë e shumtë të policisë në ndeshjen e Partizanit dhe kunja për Tiranën).

Hasan Lika, ish-trajner: “Kundër Partizanit të gjitha ekipet luajnë me mendimin për ta ndalur, pra të mos dalin pa pikë dhe të mbrojnë me shumë forca. Ndërsa me Kukësin të gjitha skuadrat futen në fushë për ta mundur dhe nuk qëndrojnë në mbrojtje. Kjo është diferenca”.

Armando Cungu, trajner i Vllaznisë: “Sa prekim kundërshtarët, arbitrat direkt japin faull. Ndërsa lojtarët e mi duhet të përplasen në tokë, të thyejnë hundën dhe pastaj t’u jepet faull”.

Ergis Mersini, mbrojtësi i Flamurtarit: “Isha kapiten i Luftëtarit, ngrita edhe kupën në sezonin e kaluar, por më larguan si të pavlerë me një telefonatë, duke bërë një sjellje si të isha njeri rrugësh, pasi trajneri nuk më kishte më në plane. I uroj suksese në jetë!”.

Gentjan Nora, shef i klubit Luftëtari:
“Mersini duhet të dijë se Luftëtari është një nga klubet me shumë emër në Shqipëri dhe është më lart se Flamurtari në renditje. E falënderojmë dhe i themi ‘Baftjar, gëzuar fitoren vëlla!’”.

Lejdi Liçaj, mbrojtës i Luftëtarit: “E pe ndeshjen, na e ka fajin arbitri për humbjen, shpirti i babit” (i drejtohet vajzës pas takimit në Vlorë, ku skuadra gjirokastrite humbi 2-1 ndaj Flamurtarit).

Gerd Haxhiu, trajner i Korabit: “Gjyqtar bastard! Të gjithë e panë, dha një penallti skandaloze. Turp t’i vijë, e kam edhe nga Vlora!” (i referohet gjyqtarit Klajdi Kola).

Masato Fukui, lojtar i Skënderbeut: Japonezi i Skënderbeut thirret tashmë “Robot”. Pas mbërritjes në Korçë, Fukui ka pasur disa epitete, duke nisur nga “Supersajan” e deri te “Robot”, që është edhe nofka më e fundit.

Muharrem Dosti, trajner i Elbasanit: “Kam vetëm shtatë futbollistë. Ky është viti më i keq që kur kam filluar të trajnoj, pasi me zor plotësoj 11 veta për të luajtur”. (panorama sport)

(balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: