Kryeministri Edi Rama deklaroi në konferencën e fundvitit me gazetarët se Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë marrë dritën jeshile për t’u bashkuar me familjen e madhe europiane në disa specifike.
“Ndryshe nga sa ka ndodhur, ne vendet e rajonit kemi një instrument të ri financiar në planin e rritjes ku në periudhën nga sot në 2027 do të thithim rreth 1 mld euro plus”, tha Rama.
Kreu i qeverisë përmendi anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA prej datës 21 nëntor ku shqiptarët nuk paguajnë më komisione për dërgesat financiare nga vendet e BE drejt Shqipërisë.
Rama përmendi gjithashtu si arritje gjatë 2024 edhe daljen e Shqipërisë nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të KiE.
“Këtë vit, nuk jam një ndjekës i rregullt i lajmeve, nuk ka bërë bujën e duhur, por Shqipëria ka dalë pas 20 vjetësh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të KiE. Jemi njësoj si ato vende që duam të bashkohemi në familjen europiane brenda kësaj dekade. Së treti, Shqipëria është bërë nxitësi dhe ia dalë të shtyjë dhe të bëjë të mundur duke u futur në bashkëpunim edhe me vendet e tjera të rajonit, nga ku doli plani i rritjes së BE në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ka qenë një proces jo i lehtë, një këmbëngulje e vazhdueshme nga të gjitha kontaktet, shkëmbimet e dokumenteve me zyrën e Presidentes së KE me disa nga kancelaritë kryesore të BE, për të arritur në procesin tradicional i integrimit të hyjë një element i ri i cili tanimë ka hyrë edhe në fjalorin e bisedimeve si anëtarësimi gradual. Kjo do të thotë se ndryshe nga sa ka ndodhur, ne vendet e rajonit kemi një instrument të ri financiar në planin e rritjes ku në periudhën nga sot në 2027 do të thithim rreth 1 mld euro plus dhe kemi njëkohësisht edhe dritën jeshile për t’u bashkuar me familjen europiane në disa segmente të europës së bashkuar. Që nga 21 nëntori shqiptarët në të gjithë botën që bëjnë transferta parash nga zona të BE drejt Shqipërisë, nuk do të kenë më asnjë komision ekstra në transfertat e tyre sepse Shqipëria është zyrtarisht anëtare e zyrave të pagesave unike europiane, kursen miliona euro nga xhepat e dërguesve nga jashtë, brenda perimetrit të BE”, u shpreh Rama.
(BalkanWeb)