BRI, shkurtimi në anglisht i “Nisma Brezi dhe Rruga” ose “Një brez, një rrugë” (OBOR) përfaqëson projektin kinez më të madh në botë për ndërtimin dhe modernizimin e rrjeteve hekurudhore dhe detare të njohura mbi 2000 vjet më parë si “Rruga e mëndafshit”. E shpallur nga Presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin e tij në Universitetin e Kazakistanit në vitin 2013, BRI u zyrtarizua përfundimisht në Kongresin e XIX të PKK në tetor 2017, si strategjia gjeopolitike për vendosjen e hegjemonisë globale kineze në “Shekullin e Pacifikut” në Evropë, Afrikë dhe Azi.

Ndryshe nga emërtimi i kufizuar në njëjës, kjo nismë përbëhet nga ky komponentë themelorë: “Brezi i mëndafshtë ekonomik i korridoreve tokësore/hekurudhore” dhe “Rrugët e reja detare të mëndafshit të shekullit XXI”. Kësisoj, ajo shkon shumë e shumë më larg, me projekte e programe gjigante ekonomike, tregtare, energjetike, telekomunikacioni, ndërlidhje, kulturore etj., që në vitin 2017 përfshijnë 100 shtete me 4,5 miliardë banorë, të cilat japin rreth 65 për qind të GDP-së botërore.

Javën e kaluar tërhoqën vëmendjen katër veprimtari madhore në Evropë, të cilat tregojnë se tani edhe vetë BE-ja me vendet anëtare po “kërcënohen”, madje ndonjë ka filluar të “dorëzohet” ndaj “mëndafshit” kinez, pavarësisht nga demarshet politike dhe diplomatike të deritanishme. Një vit më parë, të 27 ambasadorët e BE-së në Kinë kërkuan me një letër publike kujdes dhe distancim lidhur me BRI, i konsideruar dhe si “Kali i Trojës Kineze”. Tri javë më parë, Komisioni Evropian miratoi dokumentin përkatës strategjik të bashkëpunimit, ku nënvizohet se, “Kina për BE-në nuk është më vetëm partner tregtar, por rival sistemi, një vend që po promovon një model të ri alternative qeverisjeje”.

Pavarësisht nga sa sipër, shumica e ekspertëve pohojnë se ashtu si edhe për rrjetin ndërlidhës G-5 “Huawei”, BE nuk ka dalë ende me qëndrime të njehsuara e të besueshme, me qëllim që të jetë në gjendje të kanalizojë ambiciet e saj ekonomike dhe diplomatike, mbi bazën e rregullave të multilaterizmit dhe nga ana tjetër të bëjë përpjekje të bashkojë vendet anëtare përballë shtimit të “oreksit” kinez.

Këto ide dhe kërkesat për reciprocitet, transparencë, respektim të rregullave të lojës, BE-ja ia shprehu presidentit kinez, Xi Jinping, në Paris më 27 mars, në Samitin katërpalësh BE-Kinë, Francë dhe Gjermani. Nga ana e tij, presidenti Xi deklaroi se, “një Evropë e bashkuar në lulëzim ekonomik përputhet me vizionin e Kinës për një botë multipolare dhe se ‘Rruga e Mëndafshit’ synon të realizojë një bashkëpunim të harmonishëm të të gjithë njerëzimit, ndaj Kina mbështet integrimin, zhvillimin dhe unitetin evropian.

Kësisoj, BRI po bëhet “prova e zjarrit” për BE-në dhe qëndrimet e saj konkrete politike. Më interesante dhe intriguese paraqitet situata në vendet anëtare. Kështu, me ftesë të presidentit francez, Macron, më 25-26 mars zhvilloi një vizitë shtetërore në Paris presidenti kinez, Xi Jinping, i cili u prit me pompë të madhe. Edhe pse në prag të bisedimeve me të, Macron deklaroi se, “bashkëpunimi me Kinën duhet bërë mbi baza të qarta, ekzigjente dhe ambicioze”. Mirëpo, ndryshe nga Franca, që kërkon kryesisht vetëm bashkëpunim në fushën e klimës, Xi Jinpig kërkoi bashkëpunim global për të gjitha çështjet. Vërtet që me Francën zyrtarisht nuk u bë ndonjë marrëveshje ose kontratë për BRI-në, por gjithsesi u ra dakord që në vitin 2021 në Paris të çelet ekspozita e madhe mbi rrugët e mëndafshit që përshkoi Marco Polo në fund të viteve 1200, madje përpara se të hapet në Pekin. Veç kësaj, u nënshkrua kontrata gjigante për shitjen e 300 avionëve “Airbus” me vlerë prej 35 miliardë euro, etj. Në pozitë më të vështirë ndodhen Greqia, Spanja, Portugalia, Polonia, Hungaria, të cilat kanë shumë nevojë për zhvillime dhe investime në të gjitha fushat, ku Kina është tejet aktive. Kjo, jo vetëm për të përmirësuar treguesit social-ekonomikë, por edhe që të mbeten aktorë të rëndësishëm e të besueshëm rajonalë.

Gjithsesi, vëmendjen ndërkombëtare e tërhoqi Italia, e cila u bë vendi i parë anëtar i BE-së dhe i G-7 që e përqafoi zyrtarisht BRI-në. Më 22 mars u nënshkrua në Romë, në prani të presidentit kinez Xi Jinping dhe kryeministrit italian De Conte, Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet dy qeverive mbi bashkëpunimin dypalësh në këtë nismë. Mbi këtë bazë dhe të 10 kontratave gjigante me vlerë rreth 20 miliardë euro, Kina do të bëjë investime të mëdha e të shumta në energjetikën, infrastrukturën, telekomunikacionet italiane, modernizimin e aeroportit të Romës, të porteve në Xhenova dhe Trieste, eksporteve italiane, etj. Reagimet nga Komisioni Evropian nuk munguan, por ato ishin të matura dhe të kujdesshme tani, vetëm dy muaj nga zgjedhjet e reja evropiane.

Në pozita më të mira mbrojtëse është Gjermania, por edhe aty gjërat po lëvizin, edhe pse në formatin jozyrtar. Kështu, më 29 mars, në qytetin-port Bremen u zhvillua ceremonia zyrtare e inaugurimit të Shoqatës Federale Gjermane të Nismës për “Rrugën e Mëndafshit” (Bundesverband Deutche Seidenstrasse Initiative (BVDSI) pas dy vitesh veprimtarie. BVDSI synon të nxisë “vëmendjen e politikës së jashtme gjermane drejt aspekteve pozitive të nismës për ndërtimin e rrugëve të mëndafshit”. Ajo që bën përshtypje është apeli i fortë i bashkëpresidentëve të saj, Hans Von Helldorff dhe Nadine Hellmode ndaj ministrit Federal të Ekonomisë, Peter Altmaier dhe atij të Jashtëm, Haiko Maas. Ata kërkojnë që të hiqet dorë sa më shpejt nga politika e bllokadës ndaj “Rrugës së Mëndafshtë”. Madje, shkojnë më tej duke kërkuar të hiqet dorë nga politika e njëanshme gjermane e kushtëzimit të marrëdhënieve me Kinën me vlerat/standardet demokratike; sipas tyre, kjo politikë nuk ka sjellë asnjë rezultat apo ndikim konkret as në Kinë e as në Rusi. Sipas BVDSI, në kushtet kur dhe ekonomia gjermane po tregon shenja dobësie dhe rënie si pasojë dhe e luftës tregtare me SHBA, “këmbëngulja për ta kushtëzuar bashkëpunimin ekonomik me Kinën me mbrojtjen e vlerave dhe të drejtave të njeriut ka rezultuar tërësisht kundraproduktive”.

Mirëpo, pas kritikave në Bundestag mbi këtë shoqatë, qeveria gjermane reagoi duke mos dërguar përfaqësuesit e saj në ceremoninë e inaugurimit, gjithashtu ajo urdhëroi drejtuesit e BVDSI-së që të hiqnin nga ‘web’-i i tyre përshëndetjen e sekretarit Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Transportit dhe Infrastrukturës Dixhitale, Enak Ferlemann i CDU-së, sepse ajo i përkiste vitit të kaluar. Aty ai shprehte “mbështetjen për qëllimin e jashtëzakonshëm të BVDSI, jo vetëm nga këndvështrimi ekonomik, por edhe nga sfondi i shkëmbimeve kulturore, që ofrojnë rrugët e mëndafshit”. Kjo kthesë e qeverisë gjermane shpjegohet me zhvillimet e lartpërmendura, por edhe me faktin se ndryshe nga SHBA-të e ndonjë vend tjetër evropian, Gjermania është shprehur e hapur ndaj depërtimit të rrjetit celular G-5 në Gjermani. Po ashtu, ajo u ka injoruar kritikat e partnerëve lidhur me ndërtimin e rrjetit gazsjellës rus Nord Stream II, kështu që mbështetja për BRI do ta kompromentonte, shtonte problemet për politikën e saj të jashtme.

Këto dhe zhvillime të tjera të pritshme dëshmojnë se BE-ja dhe vendet anëtare po ndërgjegjësohen se këto marrëdhënie interesash strategjike po marrin përparësi të madhe, çka do të thotë se ato mund të bëjnë edhe “një sy qorr e një vesh shurdh” lidhur me shqetësimet në Kinë dhe në vende të tjera të mëdha mbi të drejtat e njeriut dhe standardeve demokratike ose do të shprehen “sa për të larë gojën”. Sepse tanimë institucionet e BE-së dhe vendet anëtare po e humbasin dora-dorës fuqinë e tyre të “kulaçit dhe kërbaçit”. Këtë tendencë negative e thekson dhe fakti se tani dhe të drejtat/liritë themelore të njeriut nuk mund të respektohen pa zhvillim dhe begati ekonomike, pa luftuar papunësinë kronike dhe pabarazinë social-ekonomike, mirëpo këto janë të pamundura, pa intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dhe investimet me Kinën, Rusinë, Turqinë, Brazilin, etj.

Këto zhvillime lidhen padyshim edhe me Ballkanin Perëndimor. Jo vetëm se Rrugët e Mëndafshit do të shtrihen deri në Portin e Pireut, por edhe sepse ne jemi pjesë e nismës politike/ekonomike kineze 16+1. Shqetësimi i parë është ai i shtimit dhe përmirësimit të kapaciteteve tona teknike dhe financiare për thithjen dhe zbatimin e projekteve kineze. Sepse shkëmbimet dhe marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kinën do vijojnë dhe nuk kemi pse të fshihemi si struci.

Siç u pa më lart, Kina me synimet dhe projektet e saj globale i shtohet listës së shqetësimeve madhore strategjike për BE-në, krahas Brexit, krisjeve me SHBA-të, përçarjet brenda saj, përshkallëzimit të populizmit dhe ekstremizmit, krizave financiare, etj. Në këto kushte, BE-ja dhe vendet anëtare janë të superngarkuara me hallet dhe telashet e veta serioze. Gjithçka tjetër, përfshi edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor me problematikat e nxehta dhe zgjerimin drejt tij janë “too much” për t’u përtypur nga BE-në. Lodhjes dhe alergjisë nga ky zgjerim u janë shtuar problemet dhe dështimet e klasës politike në vendet tona. Për pasojë, zgjedhësit në vendet e BE-së dhe ato kandidate po e shohin qartë se anëtarësimi në BE nuk përbën më ilaçin magjik të zgjidhjes së këtyre problemeve, siç mendohej më parë. Veç kësaj, Franca, Holanda, Danimarka po shprehen hapur se përpara zgjerimit kërkohet thellimi i reformave brenda BE-së. Kjo tezë po fiton më shumë terren edhe në vende të tjera me peshë. Për pasojë, ka ardhur koha që klasat politike në rajonin tonë të mos presin më ndërmjetësim klasik e ca më pak zgjidhje nga faktori ndërkombëtar, por të fillojnë e japin kontributet e veta demokratike, duke marrë në dorë fatin dhe të ardhmen e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb